E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filologjiku kthehet në panair libri

Libri ka shkuar te studenti dje. Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, shtëpitë botuese kanë promovuar titujt shkencorë dhe letrarë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë. Një minipanair u çel që në orët e para të mëngjesit në hollin e këtij fakulteti, i pari për nga lloji, që synonte afrimin e të rinjve me librat. Dhjetëra shtëpi botuese ekspozuan në stendat e tyre librat që lidheshin me fushat që studion Filologjiku, si libra të historisë, gjeografisë, gjuhës, letërsisë dhe gazetarisë. Dekani i fakultetit, që nisi këtë aktivitet kulturor, Shezai Rrokaj, u shpreh për "Shqip" se në Ditën Ndërkombëtare të Librit ne menduam që ta sjellim librin në fakultet, ku studentët të njohin titujt e fundit që kanë dalë në treg. Por kjo ditë ishte edhe një mundësi e mirë për blerje. Për studentët, çdo libër është shitur me 30 për qind ulje nga çmimi që mbante në kopertinë. Panairi u vizitua nga studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Gjuhëve të Huaja dhe atij të Ekonomikut që gjenden shumë pranë njëri-tjetrit. Shtëpitë botuese kishin ftuar edhe personalitete të letrave për të bashkëbiseduar me studentët. Veçojmë këtu shkrimtarin Fatos Kongoli, që në Ditën e Librit ishte mes studentëve që studiojnë këtë art, ata të degës së Gjuhë-Letërsisë në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›