E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton fiton ndaj Obamës në Teksas dhe Ohaio

Fushata e senatores Hilari Klinton për Shtëpinë e Bardhë ka marrë një kthesë për mbarë pas fitoreve të saj në procesin përzgjedhës të demokratëve në Ohaio, Teksas dhe Rod Ajlënd. Klinton, pas fitores, është shprehur se zgjedhjet në Ohaio kishin hapur një kapitull të ri në garën për Shtëpinë e Bardhë. “Populli i Ohaios foli qartë dhe me zë të lartë: Ne do ta vazhdojmë ecjen përpara, ne po forcohemi, ne do t’i shkojmë kësaj pune deri në fund”, - tha zonja Klinton. Kandidati tjetër demokrat, Barak Obama, i cili fitoi vetëm në shtetin Vermont, gjatë një fjalimi që mbajti në San Antonio të Teksasit, ka përgëzuar kandidaten Klinton për fitoren. Megjithatë, ai ka theksuar se vazhdon të ketë epërsi përsa i përket numrit të delegatëve dhe është akoma në rrugën drejt sigurimit të emërimit të Partisë Demokrate. Përsa u përket zgjedhjeve me format konferencash në Teksas, Obama ka një epërsi të lehtë ndaj senatores Klinton. Ndërkohë, në kampin republikan, senatori Xhon Mekein ka fituar zgjedhjet paraprake në Ohaio dhe Teksas duke siguruar emërimin e partisë së tij si kandidat për president. Senatori nga Arizona, i cili vetëm pak muaj më parë ishte shumë prapa në anketa dhe përballej me vështirësi financiare në fushatën e tij, mori mbështetjen e rivalit kryesor, ish-guvernatorit të shtetit Arkansa, Majk Hakëbi, i cili njoftoi në Teksas se largohej nga gara duke i bërë thirrje Partisë Republikane për bashkim. Zoti Mekein fitoi edhe në shtetet e vegjël Vermont dhe Rod Ajllënd.

6 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›