Të zbatohet Kushtetuta për korrigjimin e moshës së pensionit
Luan Shtëpani
Prej vitesh, pothuajse në të gjitha ministritë e linjës dhe veçanërisht në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe në Kryeministri janë depozituar kërkesat nga ana e Federatës Sindikale Kimi- Metalurgji- Mekanike e Shqipërisë përsa i përket korrigjimit të ligjit “mbi moshën e pensionit në Republikën e Shqipërisë”. Konkretisht këtu bëhet fjalë për njerëzit që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë në punë të dëmshme për shëndetin dhe jetëgjatësinë e tyre. Pra për punonjësit që me ligjet e para 1990 trajtoheshin sipas grupit “A” dhe “B” me diferencë moshe të daljes në pension me 5 dhe 10 vjet ndaj punonjësve që kanë punuar në ambiente të zakonshme.
I pari institucion Avokati i Popullit i cili pas një investimi (studimi të kërkesës) gati 1- vjeçar u shpreh pozitivisht për korrigjimin e ligjit të vitit 1993 i cili këtë kategori e barazonte me të tjerët të cilët nuk dëmtohen gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
Në vitin 2004, Kryeministri i asaj kohe urdhëroi ngritjen e një grupi ndërministror për ta studiuar kërkesën e sindikatës e cila u miratua në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës dhe mbi bazën e këtij vendimi Ministria hartoi projektligjin i cili është dërguar katër herë për miratim në Qeveri.
Por në asnjë rast Kryeministri nuk është prononcuar se përse nuk merret në shqyrtim ky projektligj i cili zgjidh një padrejtësi duke i dhënë fund diskriminimit të kësaj kategorie punonjësish. Beteja e nisur nuk u ndal, me shumë përpjekje duke demonstruar fakte dhe argumente u arrit që një grup deputetësh, nisur nga kërkesat e vazhdueshme të kësaj sindikate morën iniciativën parlamentare në fund të vitit 2005, ndërsa në shtator të vitit 2006 kjo nisëm u diskutua në seancë plenare, por meqenëse qeveria nuk e kishte miratuar Parlamenti ia dërgoi kësaj të fundit për të reflektuar e gjitha kjo mbështetur në nenin 82/2 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë. Për sa më lart dhe Kryetaren e Kuvendit dhe Kryeministrin po ky nen i Kushtetutës i detyron që ta rishqyrtojnë projektligjin në fjalë në seancë plenare brenda 30 ditëve pas diskutimit të parë pavarësisht nëse Qeveria shprehet pozitivisht, negativisht, apo abstenon.
E ndërsa pati stopim për këtë çështje përpjekjet e avokates mbrojtëse të punonjësve të kësaj industrie nuk reshtën me protesta, shkresa dhe me takime në ministri për t’i dhënë sa më parë zgjidhje. E vetmja përgjigje e ardhur nga Kryeministria është se problemi do të shqyrtohet nga ana e Ministrisë së Financave. Deri më sot nuk ka asnjë piketë të hedhur në buxhetin korrent apo afatgjatë, ku sa për kujtesë fatura financiare për këtë kategori sipas studimit të grupit ndërministror është rreth 3 milion euro në vit, ndërsa jepen miliona euro fonde për rehabilitimin e shesheve dhe territoreve ku kanë qenë dhe janë këto uzina duke i trajtuar si pika të nxehta mjedisore.
Për punonjësit që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë që kanë humbur vite jetë në këto objekte deklarohet se do të studiohen në të ardhmen, duke u diskriminuar maksimalisht duke ju mohuar e drejta për pension për së gjalli pa diskutuar për vuajtjet që u shkaktohen duke ju kërkuar që të punojnë jashtë mundësive fizike – mendore, pa llogaritur këtu rënien e rendimentit në punë, zënien e vendeve të punës për brezin e ri i cili zë peshën më të madhe në shifrën e të papunëve, njëkohësisht dhe peshën më të madhe të inkriminuarve në krime.
Sipas një studimi tepër sekret të vitit 1988 mbi ndarjen e punëve në kategori për efekt pensioni rezulton se për punonjësit e metalurgjisë së bakrit jetëgjatësia mesatare është 59 vjet e 2 muaj, për minatorët 60 vjet e 1 muaj, ndërsa për punonjësit e grupit “B” rezulton 63 vjet e 1 muaj. Fakte të tilla të dhimbshme sillen nga ish -Uzina e Superfosfatit Laç, ish-Uzina e Koksit në Elbasan, Rafineria e Naftës Ballsh, Ish- Uzina Kimike Durrës, Sodë PVC Vlorë, ish- Fabrika e Baterive Berat, Ish -Kombinati Metalurgjik Elbasan sot Uzina e Çelikut, si dhe minierat (nëntoka) kryesisht në ato me përmbajtje të lart kuarci (shkaku i silikozës).
Këto punonjës po diskriminohen në 5 – 10 vjet rritje të moshës së daljes në pension në raport me kategoritë e tjera të punonjësve kjo sipas ligjit të vitit 1993 ndryshuar në vitin 2002 ku mosha e daljes në pension për të gjitha kategoritë u bë 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç për gratë çka do të thotë që burrat në Shqipëri po të jetojnë në mesataren sipas të dhënave demografike mund të gëzojnë vetëm 3,5 vjet pensionin po për punonjësit e kategorive të vështira ?!. Bazuar ne eksperiencën e shteteve të industrializuara si: Gjermania, Kanadaja Franca etj, pa folur për vendet fqinje rezulton se ato ruajnë diferencën e moshës së daljes në pension për vetë faktin e diferencës në jetëgjatësi.
E vetmja shpresë e Federatës Sindikale mbetet opinioni i Misionit të Bankës Botërore në Shqipëri.
6 Mars 2008