Studimi, Onkologjikut i mungojnë barnat e shtrenjta
Kostoja reale e nevojave për barna të tilla shkon deri në 8.5 milionë euro. Rreth 2800 persona vdesin çdo vit nga tumoret
Emanuela Sako
Shërbimi Onkologjik në QSUT vuan mungesën e barnave të shtrenjta, të cilat pacientët e kanë të vështirë t’i blejnë. Kjo është bërë e ditur nga vetë autoritetet përkatëse, në bazë të një studimi të bërë kohët e fundit mbi koston e pacientit, të trajtuar gjatë vitit 2007 në lidhje me trajtimin me citostatikë dhe barna të tjera për kurimin e tumoreve. Shefi i Shërbimit Onkologjik, Agim Sallaku, u shpreh dje për mediat se kostoja reale e nevojave për barna të tilla shkon deri në 8.5 milionë euro, që është një shumë e konsiderueshme. Ndërsa ka pranuar se nga viti në vit buxheti për citostatikët ka ardhur në rritje, sidomos vitet e fundit, buxheti është i pamjaftueshëm. Vitin e kaluar buxheti ka qenë rreth 3.8 milionë, ndërkohë që kërkon që këtë vit të shkojë rreth 4 apo 4.5 milionë lekë. ”Kjo është një rritje e rëndësishme, e cila është evidentuar në numrin më të madh të të trajtuarve si dhe përdorimin e linjave të reja me citostatikë, të cilat përdoren edhe në vendet e tjera. Megjithatë, mund të themi që buxheti është i pamjaftueshëm për të plotësuar të gjitha kërkesat dhe mbulimin për çdo problematikë që të sëmurët onkologjikë paraqesin”, - u shpreh Sallaku.
Blerja
Shefi i Shërbimit Onkologjik sqaron se citostatikët blihen gjithmonë me tendera të organizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe QSUT-ja. Ndërsa për raste të veçanta bëhen edhe blerje të vogla, por që duke pasur parasysh koston e madhe të preparateve me blerje të vogla, nuk arrihet asnjëherë të bëhet një blerje e plot dhe e saktë. Ndërkohë që shifrat e të sëmurëve me tumore që shkojnë çdo ditë në këtë qendër janë tepër alarmante. Rreth 2800 persona në vit vdesin nga kjo sëmundje, ndërkohë që raste të të prekurve janë 3500 deri në 4000 femra dhe meshkuj. Shefi i Shërbimit të Onkologjisë, Agim Sallaku, sqaron për gazetën “Albania” se ndonjëherë shkaktarë të sëmundjes bëhen vetë personat, pasi konsumimi i alkoolit dhe duhanit është një ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në shtimin e rasteve. Kanceri i mushkërive është më i përhapuri te meshkujt, ndërsa te femrat është kanceri i gjirit.
Shkaktarët
shkaktarë kryesorë të formimit të tumoreve janë disa, si konsumimi i duhanit, që njihet si një nga faktorët kryesorë për shfaqjen e tumoreve në mushkëri. Po kështu, konsumimi i tepërt i alkoolit ka një ndikim tepër negativ në organizëm dhe prek stomakun. Ndryshimi stilit të jetesës në ushqyerje bëhet shkak për shtimin e sëmundjes. Sipas specialistëve, qytetarët e kanë shtuar ushqyerjen me mish dhe përdorimin më të paktë të zarzavateve. Përdorimi i kimikateve në bujqësi, industri dhe ndërtim, bën që punonjësit e pambrojtur të jenë më të prirë ndaj prekjes nga tumoret. Rrezikshmëri shfaqin edhe elementët toksikë te ushqimet për shfaqjen e kancerit të zorrës së trashë. Ka një sërë faktorësh natyrorë që shfaqin rrezikshmëri të lartë, siç është rritja e intensitetit të rrezatimit ultraviolet për shkak të hollimit të shtresës së kozmosit, i cili shkakton kancerin e lëkurës. Ndotja e ambientit nga tymi i makinave shfaq efekte negative te të gjithë personat.
Qeveria, ndihmë financiare për pacienten Ermira Spahiu
Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e radhës për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve për kurim jashtë vendit të Ermira Spahiut. Ministria e Shëndetësisë, pasi kishte marrë vendim për dërgimin e pacientes për kurim në Itali, ia paraqiti kërkesën Këshillit të Ministrave. Kështu, nё buxhetin e miratuar pёr vitin 2008, nё zёrin “Shpenzime operative”, t’i shtohet fondi 3 900 000 (tre milionё e nëntëqind mijë) lekë, pёr përballimin e pjesshёm tё shpenzimeve pёr kurimin e znj. Ermira Spahiu, në Institutin Ortopedik Rizzoli, në Bolonja, Itali. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Pagesa do të bëhet kundrejt paraqitjes sё faturave origjinale të institucionit shëndetësor. Pasi paraqitja e dokumenteve origjinale dhe përcaktimi i sëmundjes është kusht kryesor për dhënien e mundësisë nga Ministria e Shëndetësisë për kurimin e pacientëve jashtë vendit. Ngarkohen Ministria e Shёndetёsisё dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi. Çdo vit, Ministria e Shëndetësisë, nis një numër të konsiderueshëm pacientësh për kurim në një nga vendet me të cilat ka marrëveshje.
Mungesa e jodit, miratohet projektligji për kripën e jodizuar
Pas dhënies së alarmit të mungesës së jodit në vend nga Ministria e Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave miratoi dje projektligjin “Për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut”. Ky vendim synon pasurimin me jod të të gjithë personave, pasi pamjaftueshmërisë jodike në vend shënon shifra të larta. Projektligji që qeveria miratoi krijon kuadrin ligjor të nevojshëm për jodizimin universal të kripës për përdorim human, shtazor dhe industrinë ushqimore. Ai realizon të gjithë gamën e veprimtarive që nga importi, prodhimi dhe deri te konsumatori, duke realizuar që njeriu, në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe të tërthortë, të konsumojë vetëm kripë të jodizuar. Pamjaftueshmëria jodike është shkaku kryesor i prapambetjes mendore dhe fizike, por që mund të parandalohet lehtë nga sigurimi në organizmin e njeriut të sasisë së mjaftueshme të jodit. Marrja e jodit nëpërmjet kripës se jodizuar është identifikuar si një nga rrugët më efikase që kontribuon në eliminimin e pamjaftueshmërisë jodike. Pamjaftueshmëria jodike ka efekte negative në të gjithë popullatën me implikime serioze për zhvillimin dhe mirëqenien e gjithë shoqërisë.
Thereska: ”Të shtohen dy barna me rimbursim për pacientët që kanë kryer transplantime”
Mjekët e Nefrologjisë kanë kërkuar që listës së barnave me rimbursim t’u shtohen edhe dy lloje barnash për pacientët që kanë kryer transplantimin e veshkave. Mentor Thereska, shefi i Shërbimit të Nefrologjisë, ka kërkuar që ilaçet “valsait” dhe “prograt” t’i shtohen listës, pasi janë tepër të shtrenjta dhe të domosdoshme për trajtimin e pacientëve që kanë kryer transplantim. “Bëhet fjalë për ilaçet valsait dhe prograt, të cilat, edhe pse të shtrenjta, janë të domosdoshme për trajtimin e pacientëve që kanë kryer transplantim, sepse këta të sëmurë në muajt e parë pas operacionit janë të ndjeshëm nga infeksionet virale dhe përdorimi i medikamenteve i mbron ata”, - u shpreh shefi i Shërbimit të Nefrologjisë. Kjo kërkesë vjen në një kohë kur lista e barnave me rimbursim nuk është përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, pasi fondet për shtimin e listës mungojnë. Në këtë mënyrë nuk dihet nëse kërkesa e specialistëve të Nefrologjisë do të gjejë zbatim. Njëkohësisht në QSUT pritet të realizohet transplantimi i veshkave në kuadër të projektit INTERREG III.
Aparaturë të re për shkrirjen e gurëve në veshka
Aparatura e lipotritit (për shkrirjen e gurëve në veshka), e cila ka mëse dy vjet që nuk funksionon, do të zëvendësohet me një të re, deklaroi dje drejtori i Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë, Mati Pepa, sipas të cilit, për blerjen e aparaturës unike do të shpenzohen 500 mijë euro. Ai tha se sigurimi i aparaturës, e cila është unike në QSUT, do të lehtësojë punën e mjekëve të Urologjisë dhe do të përmirësojë shërbimin në QSUT. Aparatura e lipotritit gjendet edhe ne disa nga institucionet shëndetësore private. Çmimi i këtij ekzaminimi në këto të fundit kushton gati 55 mijë lekë. Ndërkohë që me blerjen e aparaturës së re për QSUT-në kurimi i gurëve në veshka do të kushtonte vetëm 18 mijë lekë për personat e pasiguruar, ndërsa të siguruarit do të paguanin vetëm 20 për qind të çmimit total, rreth 3600 lekë.
6 Mars 2008