E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria fillon bisedimet për liberalizimin e vizave

Zëvendëspresidenti i KE-së, Franko Fratini, viziton Shqipërinë ditën e premte. Koha e liberalizimit varet nga reformat dhe standardet e vendosura
Shqipëria do të zhvillojë bisedime me Komisionin Europian për kushtet e fillimit të procesit të liberalizimit të vizave. Dialogu do të promovohet nga zv.presidenti i KE-së, Franko Fratini, i cili pritet të vizitojë Shqipërinë ditën e premte. Ky lajm u bë i ditur nga kreu i Misionit të KE-së në vendin tonë, Helmut Lohan, i cili bëri prezantimin e dokumentit të Bashkimit Europian për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në bllok. “Nuk ka një datë të caktuar se kur do të ndodhë liberalizimi konkret, por kjo varet nga puna që do të bëjë Shqipëria me reformat dhe standardet e vendosura nga ndërkombëtarët”, - është shprehur Lohan. Çështjet që do të merren parasysh në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave do të jenë dokumentet e identifikimit, emigracioni ilegal, rendi publik si dhe marrëdhëniet e jashtme. Progresi i çdo vendi në bazë të kushteve të vëna do të jetë treguesi i kohës kur do të arrihet liberalizimi i vizave. Gjatë gjithë procesit të dialogut do të merret në konsideratë edhe mundësia e çdo vendi për të siguruar implementimin korrekt dhe efektiv të lehtësimit të vizave dhe zbatimit të marrëveshjeve. Nga ana tjetër, Komisioni dhe Këshilli i Europës do të monitorojnë nga afër progresin në reformat përkatëse. Pasi të jenë përmbushur kushtet e kërkuara, Komisioni do t’i propozojë Këshillit heqjen e regjimit të vizave”, - thuhet në dokumentin e BE-së për integrimin e vendeve te Ballkanit. Kreu i Misionit të KE-së në Shqipëri ka cituar faktorët nga të cilët varet ecuria e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, zhvillimi i zgjedhjeve të ardhme parlamentare sipas standardeve ndërkombëtare dhe forcimi i shtetit ligjor kryesisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë faktorët nga të cilët varet ecuria e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Në dokument thuhet gjithashtu se udhëheqësit politikë shqiptarë kanë dhënë fjalën se do të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për reformat kyçe. Qytetarët e çdo vendi të Ballkanit Perëndimor, përveç Kroacisë, duhet të pajisen me viza për të hyrë të Bashkimin Europian. Marrëveshjet për lehtësimin e vizave kanë të bëjnë me një kosto shumë më të ulët pagese dhe lehtësira akoma më të mëdha do të ketë për kategori të caktuara njerëzish si studentë dhe pensionistë. Udhëtarëve të rregullt ndërkohë do t’u garantohen vizat me shumë hyrje dhe me një kohë më të gjatë qëndrimi. Pas bisedimeve me Shqipërinë më pas do të vijohet me Bosnjën dhe Hercegovinën.

6 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›