E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendrimi i Evropianeve per Medvedevin

Artan Kutra, Paris

Zgjedhja e Dimitri Medvedevit në krye të shtetit Rus, për evropianët mund të konsiderohet si një element që do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e marrëdhënieve mes tyre dhe Rusisë.
Kujtojmë se këto mardhënie ishin ftohur jashtë mase gjatë kohës kur Vladimir Putin mbante në duar pushtetin e përqendruar presidencial.
Pika më kulmore e ftohjes së këtyre mardhënieve Evropë – Rusi, ishte momenti kur Vladimir Putini kërcënonte evropianët që të mos pranonin sistemin amerikan të “Mburojës Antiraketë” në Ceki dhe në Poloni, se për ndryshe ai do të orientonte një pjesë të mirë të raketave ruse drejt kryeqyteteve evropiane.
Treguesi më i qartë i vullnetit të udhëheqësve evropianë për të pasur një “përmirësim” të marrëdhënieve është fakti se ata e kritikuan shumë lehtë mënyrën se si Medvedevi arriti të zgjidhej këtë të diel në postin e lartë presidencial.
Udhëheqësit evropianë i kishin të gjitha mundësitë për të thënë të vërtetën hapur e pa dorashka, pasi i vetmi mision vëzhgues perëndimor, i cili varej nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, kishte arritur në konkluzionin se këto zgjedhje në Rusi nuk ishin “as të drejta e as të lira”.
Presidenti francez, Nicola Sarkozy, Kancelarja gjermane, Angela
Merkel, Kryeministri britanik, Gordon Brown, njësoj si Kryetari i
Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, e përshëndetën presidentin e ri të zgjedhur, i cili pritet të marrë zyrtarisht në duar funksionet më datën 7 maj, kohë kur do të emërohet edhe Vladimir Putini në postin e Kryeministrit.
Në deklaratën e tij, Kryetari i Komisionit Evropian, Barroso, theksoi se nën drejtimin e Dimitri Medvedevit, Rusia dhe Bashkimi Evropian “do të konsolidojnë dhe do të zhvillojnë edhe më tepër partneritetin strategjik”. Jose Manuel Barroso, nënvizoi se “ky partneritet nuk bazohet vetëm tek interesat e përbashkëta, por edhe tek respektimi i vlerave për të cilat do të angazhohen të dyja palët”.
Elementët më të theksuar që kishin çuar në ftohjen e mardhënieve midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë gjatë këtyre viteve të fundit kanë qenë mosmarrëveshjet për ndërtimin e sistemit amerikan të “Mbrojtjes Antiraketë” në vendet e Evropës Lindore, si dhe presioni që bënte Moska zyrtare për ndërprerjen e dërgimit të hidrokarbureve, (naftës e gazit), drejt vendeve Evropiane.
Tema të tjera të divergjencave Evropë – Rusi kanë qenë edhe dosja e respektimit të të drejtave të Çeçenëve si dhe divergjencat lidhur me pavarësinë e Kosovës.
Të gjitha këto kontradikta, sidomos gjatë dy vjetëve të fundit midis evropianëve dhe Vladimir Putinit, e kishin denigruar figurën e këtij të fundit si një aparatçik që kërkon vetëm arritjen e interesave personale pa pasur të paktën një të drejtë legjitime.
Vladimir Putin në të gjitha këto pika shfrytëzonte vetëm dy avantazhe për të bërë presion: Të qënit një vend i madh kilometrik me armatime të shumta bërthamore dhe pasjen e rezervave të konsiderueshme të gazit e të naftës që u nevojiteshin evropianëve.
Një faktor tjetër në ftohjen e mardhënieve Evropë – Rusi, ishte edhe bllokimi, që në vjeshtën e vitit 2006, i negociatave për arritjen e një marrëveshjeje të “Partneritetit Strategjik BE – Rusi”. Ky bllokim vjen si rezultat i vetos që ka vënë Polonia brenda BE -së.
Megjithatë, evropianet shpresojnë në rinisjen e mbarë të dialogut
midis Varshavës dhe Moskës. Keto bisedime pritet te rinisin gjatë
Samitit BE – Rusi, më 26 e 27 qershor të këtij viti në Siberi.
Në këtë takim të nivelit të lartë shpresohet të promovohet një
transparencë më e madhe dhe reciproke nga ana e Moskës lidhur me
transportet e lëndëve energjitike.
Po të analizojmë mardheniet e Rusisë me secilin vend evropian të marrë veçmas, mund të thuhet se mosmarrëveshjet kanë qenë më të ashpra.
Kështu, Qeveria Britanike, ndonëse e përshëndeti ardhjen e Medvedevit në postin e presidentit, është shprehur se do të mbajë një qëndrim realist lidhur me reagimet e Moskës mbi vrasjen e ish agjentit rus Aleksander Litvinenko. Në një deklaratë të nxjerrë ditën e hënë qeveria Britanike theksonte se “shpreson më tepër bashkëpunim nga ana e Rusisë mbi disa tema te veçanta. Qëndrimi ndaj presidentit të ri do të varet nga vullneti e puna e tji për mirkuptim e bashkëpunim”.
Ministri i jashtëm francez Bernard Kushner, në një deklaratë të fundit theksonte se Franca e sidomos Bashkimi Evropian, nuk kishin arritur akoma deri më sot në gjetjen e një diskutimi me të vërtetë të hapur nga ana e Moskës. Vetem dialogu i hapur do të bënte të mundur rikthimin e Rusisë në vendin e saj të merituar në arenën e madhe koncertore të të gjitha kombeve të Botës.
Shefi i diplomacisë italiane, Massimo D'Alema, ka bërë thirrje “për një rikthim më të mirë tek dialogu konstruktiv dhe tek bashkëpunimi i Rusisë në mënyrë transparente”.
Nëse do të krahasonim arsyet e prishjes së mardhenieve bilaterale
midis Moskës dhe vendeve të tjera evropiane, më paradoksali do të
paraqitej rasti i ashpërsimit të gjuhës midis këtij vendi me Estoninë.
Kriza midis këtyre dy vendeve zuri fill gjatë vitit 2007, kur në
kryeqytetin e Estonisë, Tallinn, u hoq një bust memorial që
simbolizonte lavdinë e ushtarit të panjohur sovjetik. Kjo ishte
arsyeja që Moska mbajti qëndrim të ashper e madje kërcënues në
aspektin ekonomik.
Pas ardhjes së një emri të ri në fronin e presidentit të Rusisë,
tashmë nuk ngelet gjë tjetër veçse të mësojmë se a do të ketë një
politikë të jashtme të re më koherente dhe më liberale nga ana e
Rusisë lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt vendeve të
lindjes.
Në vitin 2004 kjo temë u shndërrua në një polemikë të vërtetë.
Shpesh herë vende si Franca, Gjermania, apo edhe Italia, bënin çmos që të mbanin kontakte të vazhdueshme, për të qetësuar reagimet e Rusisë ndaj ish satelitëve të saj të dikurshëm, Lituanise e Plonise, të cilët kërkonin të afroheshin drejt Bashkimit Evropian.
“The European Council on Foreigen Relation”, Këshilli Evropian i
Mardhënieve të Jashtme, me qendër në Londer, u bënte thirrje këto ditë udhëheqësve evropianë që të krijonin një strategji të përbashkët qëndrimi përballë Rusisë. Në këtë mënyrë do të evitohej vendosja e marrëdhënieve personale me Dimitri Medvedevin, e nuk do të përsëritej i njëjti hap i nxituar sikundër ndodhi me Putinin në vitin 2000.
Megjithatë, përpjekjet e evropianëve për të vendosur kontakte me
Dimitri Medvedevin ishin të menjëhershme. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kërkoi që “sa më parë të ishte e mundur të kryente një takim kokë më kokë me të”. Sipas shtypit gjerman, ky takim mund të bëhet ditën e shtunë. Ndërsa Presidenti francez, Nikola Sarkozy, formuloi një ftesë zyrtare për Medvedevin, me qëllim që ky i fundit të vijë në Francë kur të ketë mundësi, por pas marrjes së funksioneve zyrtare në vendin e tij.

6 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›