Klinton, pranon postin e sekretares së shtetit

Hilari Klinton ka vendosur të pranojë pozicionin e sekretares amerikane të shtetit, duke u përfshirë në administratën e njeriut që e mundi në garën mes kandidatëve demokratë për president të SHBA-ve. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta prestigjoze Nju Jork Times. Duket se marrëveshja mes dy liderëve të Partisë Demokrate amerikane është arritur në një javë të gjatë dhe dramatike për kryeqytetin e SHBA-së. "Klinton ka pranuar rolin e sekretares së shtetit pas shumë diskutimeve me Presidentin e zgjedhur Barak Obama, mbi natyrën e pozicionit dhe planet e saj për politikat e jashtme", është shprehur një burim konfidencial i gazetës nju jorkeze, i cili ka këmbëngulur në anonimatin e situatës. Zyra e Obamës kishte deklaruar të enjten se nominimi i Klinton në këtë post ishte në udhë të mbarë. "Ajo është gati", ka thënë burimi anonim, duke shtuar se Klinton është bindur pas bisedimeve të reja me Obamën, pasi takimi i tyre i parë javën e kaluar në Cikago ishte shumë i përgjithshëm. Si sekretare shteti, Hilari Klinton duhet të ketë një platformë të fuqishme për të udhëtuar nëpër botë dhe për të ndikuar në rregullimin e marrëdhënieve me disa vende që kanë qënë kundër politikave të ndjekura nga administrata tetë vjecare e presidentit aktual Xhorxh Bush.