E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klinton refuzon takimin me Jeremiç, shkak Kosova

 

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, ka refuzuar një takim me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç për shkak të qëndrimit të tij mbi pavarësinë e Kosovës. Sipas një burimi të “Washington Times”, (një zyrtar amerikan që ka preferuar të mbetet anonim), Klinton ka deklaruar se është e zënë gjatë kohës që ka kërkuar takim Jeremiç, por shkaku i vërtetë është se Klinton dënon qëndrimin aspak konstruktiv, që ka mbajtur dhe po vazhdon të mbajë Beogradi zyrtar në lidhje me Kosovën. Në një prononcim për “Washington Times”, Jeremiç ka thënë se atij nuk i është mundësuar takimi me Sekretaren Klinton, sepse, ajo është e zënë dhe në vend të saj do të takohet me zëvendësin Xhejms Stajnberg (James Steinberg). Por, siç citon gazeta, një zyrtar i lartë amerikan ka cituar se arsyeja është bashkëpunimi i pamjaftueshëm i Serbisë për ndërtimin e kapaciteteve të drejtësisë, policisë dhe doganave në Kosovë. Zyrtari amerikan ka thënë se në pjesën e përzier jugore ka përfaqësues të serbëve në Policinë e Kosovës, por jo edhe në pjesën veriore, të banuar kryesisht me serbë. “Gjërat po shkojnë në udhën e drejtë, por ka edhe shumë rrugë për të bërë në kuptimin qenësor e praktik”, ka thënë zyrtari amerikan për “Washington Times”. Ndërsa Jeremiç ka komentuar se çështja e Kosovës mbetet një hendek në marrëdhëniet me Uashingtonin dhe nuk kjo ka gjasa që të zgjidhet së shpejti, por sipas tij, me gjithë qëndrimet e ndryshme për këtë çështje, Kosova nuk duhet t’i pengojë të dy vendet, që të punojnë së bashku për të siguruar stabilitetin në Ballkan. “Marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara janë të mira, përveçse për këtë gjë të madhe, ku kemi mospajtime të thella”, citohet të ketë thënë ministri serb, Jeremiç. Shefi i diplomacisë serbe i ka thënë gazetës “Washington Times” se Beogradi do ta shtyjë fuqishëm përpara rastin e hapur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj nga deri më tani 58 vende dhe ka shprehur bindjen se gjykata do të vendosë në favor të Serbisë. Pak ditë më parë Jeremiç është shprehur se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe se nuk e këmben me asgjë shkëputjen e saj nga territori serb. Kjo ishte një kundërpërgjigje mediatike ndaj artikujve në gazeta të ndryshme, se Komisioni Evropian i ka vënë kusht Serbisë, që nëse kërkon anëtarësim në union, duket që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me Hagën për të dorëzuar të kërkuarit për krime luftë gjatë konflikteve në Ballkan në ish–Jugosllavi dhe të njohë pavarësinë e Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›