E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Shkozet, prej dhunës

 

DURRES/ OERD ULQINI

Viktimat e Shkozetit dhunuan banesën e Kujtim Hasanajt dhe i rrahën të atin. Në kushtet e tronditjes ai u mori pistoletën dhe qëlloi ndaj tyre. Kjo ka qenë alibia e avokatëve të autorit të vrasjes së dyfishtë në Shkozet të Durrësit, ndodhur të dielën e shkuar. Ata kërkuan pafajësinë për 39-vjeçarin, kërkesë e cila nuk u mor parasysh nga Gjykata e Durrësit. Ka kaluar me debate të forta seanca e parë e çështjes "Shkozeti", ku mbetën të vrarë Sadik Lazri, 28 vjeç dhe Shaban Karabrahimi, 49 vjeç. Pala mbrojtëse, e përfaqësuar nga Petraq Semani dhe Rrahman Osmani, të Dhomës së Avokatisë në Tiranë u shpreh se "mekanizmi i ngjarjes nuk është aspak i vërtetë siç është servirur deri më tani nga policia". Avokatët kërkuan pafajësi për klientin Hasanaj, pasi sipas tyre vrasja është kryer në "kushtet e mbrojtjes së nevojshme", çka përkon me nenin 19 të Kodit Penal. "Nga ne kontestohet fuqishëm akuza e formuluar deri më tani për vrasje në rrethana të tjera të cilësuara. Ajo është e pabazë. Kjo akuzë nuk i përgjigjet rrethanave të ngjarjes, provave të administruara dhe shpjegimeve të dëshmitarëve", u shpreh për gazetën avokati Petraq Semani. Sipas tij, ngjarja e 19 prillit është dhunim banese. Në seancë avokati u shpreh se "nga dy vëllezërit Karabrahimi dhe bashkëshoqëruesi i tyre Lazri është rrëzuar dera e hekurit e familjes Hasanaj". Semani mohoi edhe konfliktin për motive pronësie, pasi sipas tij nuk ekziston asnjë proces civil mes familjes Hasanaj dhe asaj Karabrahimi. Madje për avokatin Semani ka qenë i panjohur motivi i dhunimit të banesës së klientit të tij. Në seancë avokati dha versionin mbi ngjarjen, i cili sipas tij përputhet edhe me provat e sekuestruara. "Pasi kanë thyer derën, ata kanë keqtrajtuar babain e Kujtimit, Shpend Hasanaj. Në këtë kohë Kujtimi zgjohet nga gjumi dhe teksa sheh babain që përleshej me të panjohurit ia merr pistoletën nga dora njërit prej tyre dhe qëllon në kushtet e tronditjes psikike"-deklaroi avokati Petraq Semani në sallën e gjyqit. Gjykata e Durrësit vendos masën "arrest në burg" për Kujtim Hasanaj, i cili ekzekutoi mbrëmjen e 19 prillit dy shtetas dhe plagosi një tjetër. Prokuroria e përfaqësuar në këtë seancë nga Alket Mersini, argumentoi rrezikshmërinë shoqërore të së arrestuarit, i cili është vënë nën akuzën e rëndë. Sipas organit të akuzës dyshimet janë të bazuara në prova, ndaj e vetmja masë që mund të merrte gjykata ishte "burg pa afat". Pasi lexoi dosjen voluminoze prokuroria nuk hoqi dorë nga akuza e formuluar më parë ndaj të pandehurit Kujtim Hasanaj "Vrasje në rrethana të tjera të cilësuara", duke u shprehur se ajo është ngritur pas një hetimi profesional. Pasi dëgjoi prokurorin dhe palën mbrojtëse gjyqtarja Enkeleda Softa la në fuqi kërkesën e Prokurorisë, për të lënë shtetasin Kujtim Hasanaj në dispozicion të hetimit.

Plagosja e pasagjerëve, mister se kush qëlloi nga dy familjet

DURRES - Policia shkencore ka dërguar në laborator dy armët automatike model 56, të së arrestuarve Kujtim Meta dhe Nazim Kalemi, si autorë të sherrit me armë, me pasojë plagosjen e pasagjerëve të autobusit. Vetëm përgjigjja e ekspertëve do të përcaktojë misterin se plumbat e cilës armë përfunduan në autobusin e linjës Durrës-Fshati Rinia. Bashkë me armët hetuesit e Durrësit kanë dërguar edhe proces verbalet e siguruara nga gjurmët në terren që kanë lënë armët luftarake. Luftimet me fiseve Meta dhe Kalemi kanë ndodhur në një rrugicë të ngushtë, në muret e së cilës dyshohet se plumbat kanë kryer devijime të shumta. Ndërkohë, 27-vjeçari R.Kalemi, djali i të arrestuarit Nazim Kalemi është aktualisht personi më i kërkuar në Durrës. Ndaj romit ka nisur "gjuetia" nga policia e Durrësit dhe e Tiranës, por pa rezultate konkrete deri më tani. Hetuesit janë duke kërkuar në shtëpitë e çdo të afërmi të familjes numeroze Kalemi, me shpresë se i riu fshihet në to. Duke qenë se ky fis është i shtrirë në Tiranë (zona e Kombinatit) dhe Durrës (Nish-Tulla), kërkimet më të shumta janë përqendruar pikërisht këtu. Nga ana tjetër, teksa pyeten nga hetuesit, të dyja palët akuzojnë njëri-tjetrin për nisje të sherrit. Hetuesit janë shumë të interesuar për të zbardhur këtë fakt, ndaj janë duke mbledhur edhe dëshmi të shumta të fqinjëve. Që prej ngjarjeve të fundit, rrugët kryesore dhe dytësore të Durrësit janë vazhdimisht të patrulluara me forca të shumta policie. Ndërkaq një skuadër e veçantë policie ka marrë në ruajtje "non-stop" rrugicën ku ndodhen shtëpitë e dy fiseve. Të gjithë të plagosurit e tjerë me përjashtim të Bashkim Zhupit kanë lënë Spitalin Rajonal të Durrësit. Bluzat e bardha njoftojnë se parametrat jetësorë të pasagjerit Zhupi janë shumë të vakëta. Ai mbahet akoma në jetë falë tubave dhe vazhdon të jetë në një gjendje të thellë kome.                            o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›