Kuvendi miraton lejen për celularin e katërt
Parlamenti miratoi dje me votat e maxhorancës projektligjin “Për dhënien e të drejtës së përdorimit për 15 vjet telefonisë së katërt mobile në Shqipëri”. Pro këtij projektligji votuan 74 deputetë, dy përfaqësuesit e PBDNJ-së, Spiro Peçi dhe Leonard Solis votuan kundër, ndërsa Spartak Ngjela abstenoi. Duke folur në seancën e djeshme Kryeministri Sali Berisha deklaroi, se “gjatë procesit të licencimit të operatorit të katërt celular në Shqipëri, janë bërë përpjekje nga më të papranueshmet për të përfituar në mënyrë të paligjshme licencën”. Sipas tij, asnjë prej kompanive që kanë marrë pjesë në tender nuk u është bërë asnjë lëshim. “Qeveria nuk është si bashkia që Edi Rama e ka bërë si familje dhe i jep vetes dhe Eftimit 19 leje ndërtimi. Këta flasin për korrupsionin, dhe për punësimin ndërkohë që zotohen për të anuluar koncesionet që vetëm ai i Devollit po punëson 5-7 mijë punëtorë”, u shpreh Kryeministri. Në mbledhjen e djeshme maxhoranca miratoi me 74 vota pro emërimin e Lefterie Lleshit në postin e anëtares së Këshillit të Lartë të Drejtësisë si dhe emërimin e Mirela Fanës me 78 vota pro në postin e anëtares së Gjykatës së Lartë. Pavarësisht debateve të javëve të fundit, Parlamenti miratoi me 76 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim projektligjin për shitjen e 76 për qind të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, ndërsa me 73 vota pro dhe 3 abstenim u miratua projektligji për vendosjen një kufiri prej 10 për qind për taksat vendore. Në fund marrëveshja e huasë me Greqinë e propozuar pak para ardhjes së kryeministrit Karamanlis në Tiranë u votua me 77 vota pro.