E Diel, 1 Nëntor 2026

“Suhareka”, Serbia liron fajtorët, dënon 4 policë

 

Gjykata serbe për Krimet e Luftës, pas një procesi me ndërprerje të gjata në Beograd, ka shpallur vendimin për autorët e krimeve të Suharekës. Ndërsa janë dënuar gjithsej me 68 vite heqje lirie katër serbë, autorët kryesorë të krimit mbi civilët shqiptarë në Suharekë janë shpallur të pafajshëm. I akuzuari kryesor në gjykimin për krimin në Suharekë, ish-komandanti i njësitit të Policisë Speciale të Serbisë, Radoslav Mitroviç, është liruar dje nga përgjegjësia për dhënien e urdhrit për vrasjen e 48 civilëve shqiptarë në mars të vitit 1999. Tre nga të akuzuarit për këtë krim janë liruar nga përgjegjësia, ndërsa dy të tjerë janë dënuar me burgim prej 20 vjetësh. Dy të akuzuarit e tjerë janë dënuar me  përkatësisht 13 dhe 15 vjet burgim. Gjykata serbe për Krime Lufte kishte filluar procesin gjyqësor ndaj shtatë të akuzuarve më 3 tetor të vitit 2006, të katër të dënuarit ishin policë të thjeshtë. Prokuroria i kishte akuzuar shtatë pjesëtarë të policisë serbe se më 26 mars të vitit 1999 kishin kryer një nga masakrat më të rënda gjatë luftës, duke vrarë 48 civilë shqiptarë në mesin e të cilëve 14 fëmijë, dy foshnja, një grua shtatzënë dhe një plakë 100-vjeçare. Në aktvendimin e gjykatës thuhet se të akuzuarit kishin rrethuar anëtarët e familjes Berisha në Suharekë duke vrarë me automatik disa burra, ndërsa anëtarët tjerë i kishin futur në një piceri dhe kishin hedhur bomba dore. Në proces kanë dëshmuar rreth 100 veta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›