Klintonit i soset durimi me serbët: Takimi me Tadiç ishte bosh dhe pa përmbajtje – Beogradi vazhdon të mbetet peng i së kaluarës

Sekretarja amerikane e shtetit kritikon hapur qëndrimin e Serbisë ndaj çështjes së Kosovës, edhe pse sipas saj, kjo e fundit është një kapitull i mbyllur dhe se Serbia dhe Kosova janë thjesht dy vende fqinje
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, është “shumë e pakënaqur” me takimin që kishte zhvilluar me presidentin e Serbisë, Boris Tadiç, gjatë javës së kaluar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, bën të ditur gazeta Danas duke u thirrur në burimet e veta diplomatike. Sekretarja Clinton konsideron se takimi me Tadiçin ishte “bosh”, pa përmbajtje, respektivisht, “nuk kishte dëgjuar asgjë të re nga presidenti serb që do ta kishte bindur atë se Beogradi nuk është duke luajtur edhe më tutje në letrën për ndarjen e Kosovës”. Takimi Clinton-Tadiç, i mbajtur më 23 shtator, para se presidenti serb t’i drejtohej Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, temë kryesore e diskutimit kishte situatën në Veri të Kosovës dhe perspektivën evropiane të Serbisë, bën të ditur kjo gazetë. Vlerësimi se ky takim ishte bosh, dëshmohet edhe me faktin se pas tij nuk është lëshuar asnjë komunikate ose njoftim më i detajuar për opinion, konstaton kjo gazetë. Të rikujtojmë se presidenti serb Tadiç, para takimit me sekretaren Clinton kishte deklaruar se, pret një “bisedë të vështirë”, por se ai është i gatshëm për një takim të tillë.