Situata në Veri të Kosovës, Rexhepi paralajmëron përdorimin e forcës për heqjen e barrikadave

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se çdo veprim për largimin e barrikadave të vendosura nga serbët e rebeluar në veri do të bëhet në koordinim me EULEX-it dhe KFOR-in. Sipas Kosovapress, ministri Rexhepi theksoi se situata në veri ka nisur të bëhet e padurueshme. Ndërkohë shefi i UNMIK-ut, Farid Zarid, ka kërkuar nga serbët e veriut që t’i heqin barrikadat. Serbët e mbledhur në Jarinjë kanë refuzuar ftesën, pasi për ta, sipas RTK-së, kjo për ta është e papranuar, sepse doganat dhe kufijtë janë simbole shtetërore. Zarid ka thënë se doganieri i Kosovës në pikë-kalim nuk është operativ dhe se prania e tij nuk duhet t’i irritojë serbët. Shefi i UNMIK-ut ka kërkuar nga serbët që protestat t’i kenë të qeta, ndërsa serbët “janë lutur që t’i mbrojë misioni i OKB-së, sepse nuk u besojnë misioneve tjera ndërkombëtare në Kosovë”, raporton “Beta”. Pas largimit të Zaridit, ushtarët e KFOR-it kanë shtrirë telat me gjemba edhe mbi barrikadën në rrugën kryesore për Jarinjë. Afro 20 serbë, kryesisht gra, janë shpërndarë pas këtij aksioni. Ndërkohë dështimin e dialogut në Bruksel, Prishtina e sheh si një demaskim që i është bërë politikës së Beogradit, që sipas zyrtarëve kosovarë përmes krijimit të situatave konfliktuoze në veri, synonte arritjen e caqeve politike. Këshilltari politik i kryeministrit, Dukagjin Gorani thotë se pala kosovare është e gatshme sërish që të vazhdojë dialogun, edhe pse sipas tij, ai u ndërpre përmes një politike destruktive. Raundi i shtatë i dialogut teknik mes Prishtinës dhe Beogradit u anulua, pasi as BE-ja dhe as SHBA-të, si ndërmjetëse në këtë dialog, nuk pranuan kërkesën e Serbisë që të flitej për gjendjen e krijuar në portat kufitare në veri.
Aksioni/Trupat e NATO-s heqin barrikadën e serbëve, në Jarinjë ngrihet një tjetër
Trupat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë kanë shkatërruar sot një barrikadë serbe pranë pikës kufitare të Jarinjës. Sic raporton Reuters, serbët ngritën një tjetër barrikadë pak më tutje.
Incidenti tregon vështirësitë e normalizimit të situatës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, vecanërisht në zonën kufitare, një prej pikave më të nxehta të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Reuters raporton se dhjetëra trupa të KFOR-it hoqën barrikadën me zhavorr duke detyruar serbët të tërhiqeshin dhe të zgjeronin perimetrin e bazës së NATO-s përreth pikës kufitare. Disa helikoptere morrën pjesë gjithashtu në këtë aksion pranë pikës kufitare të Jarinjës, rreth 100 km në veri të Prishtinës.
Ndërkohë serbët parkuan dy kamione të rëndë përtej një ure aty pranë, disa qindra metra larg pozicioneve të NATO-s duke vazhduar kështu bllokadën e tyre në rrugën që lidh Kosovën dhe Serbinë. Branko Ninic, kreu serb i bashkisë së Leposaviqit tha se trupat e NATO-s kanë ndërmarrë veprime armiqësore ndaj popullatës serbe, ndërsa premtoi vazhdimin e barrikadave.
KFOR-i ka shkelur hapur mandatin e aprovuar nga Kombet e Bashkuara. Por qytetarët do të bllokojnë sërish rrugët dhe nuk do të lejojnë doganierët kosovar të qendrojnë në pikat kufitare. Mesazhi im për qytetarët, komunitetin ndërkombëtar dhe Prishtinën është që vetëm me mjete paqësore dhe një marrëveshje mund të gjendet zgjidhja.
Katër ushtarë të NATO-s dhe 16 serbë mbetën të plagosur gjatë incidentit të së martës pranë Jarinjës, pasi serbët reaguan me armë ndaj përpjekjeve të KFOR-it për të hequr barrikadat. Incidentet shkaktuan edhe shtyrjen e raundit të rradhës së bisedimeve Prishtinë-Beograd që ishte parashikuar të mbahej në Bruksel në datat 27-28 shtator. Që nga 16 shtatori, në dy pikat kufitare në veri, Jarinjë dhe Bernjak, qendrojnë policë dhe punonjës të doganave të Kosovës të mbështetur nga KFOR dhe EULEX. Qeveria e Prishtinës po përpiqet të shtrijë autoritetin e saj në të gjithë vendin, përfshirë këtu edhe veriun e tensionuar, ku jetojnë rreth 60 mijë serbë.