Klod Duro, “MVP” për ditëlindje: Eurogol dhe asist

Tirana shkatërroi 2-0 Besën, Astrit Hafizi i dha një mësim të mirë ish-trajnerit të bardhebluve, Sulejman Starovës; Klodian Duro në një superditë në përvjetorin e tij të 30-të, me një asist për Daniel Xhafajn dhe një eurogol personal. Dy skuadrat këmbyen vendet në klasifikim, duke pasur tani Tiranën në vendin e tretë me një pikë më shumë se Besa.
MARSHIM BARDHEBLU – Kriza e Tiranës, që vazhdoi deri në javën e 5-të të fazës së parë, pikërisht atëherë kur bardheblutë humbën me Besën 3-1, duket se është një kujtim i largët. Tirana nuk njeh humbje në 11 javët në vazhdim dhe nga ai moment me Hafizin në bankinë ka grumbulluar jo pak, por 25 pikë. Fitorja e javës së 16-të ndaj kavajasve, që pësuan humbjen e katërt në pesë javët e zhvilluara deri tani në fazën e dytë, është edhe e katërta rresht. Tirana tani ndodhet në vendin e tretë me 28 pikë, gjashtë më pak se Dinamo kryesuese dhe një më pak se Partizani, që do të luajë të dielën më Teutën në "Niko Dovana".
HAKMARRJE STAROVËS – Ajo që e bën edhe më të bujshme fitoren e 23-herë kampionëve është fakti, se jo vetëm u arrit ndaj një rivali ndaj të cilit kishte humbur fazën e parë, por edhe ndaj një ish-trajneri të tyre, i cili u largua pas vetëm tri javësh nga drejtimi i kampionëve në fuqi, me të cilët koleksionoi 2 humbje (me Flamurtarin dhe Skënderbeun) dhe një fitore (me Shkumbinin). Në derbin e trajnerëve, shkodrani i qetë Astrit Hafizi - rekordmeni absolut për nga sukseset me kombëtaren përsa i përket trajnerëve shqiptarë – fitoi taktikisht ndaj impulsivit Sulejman Starova.
KLODIAN DURO – Në Tirana-Besa në fushë ishin dy vellezrit Duro: Klodiani i Tiranës dhe Alberti i Besës, por ai që spikati, ishte pa dyshim mesfushori i bardhebluve dhe jo mbrojtësi i verdhezinjve. Klodian Duro, i cili ishte dhe autori i golit të vetëmn të Tiranës në ndeshjen e parë me Besën, ishte edhe lojtari më i mirë në një ndeshje mesatare. Mesfushori, i cili të premten festoi 30-vjetorin e tij, krijoi golin e parë të realizuar nga Daniel Xhafaj (37') dhe realizoi një eurogol në minutën e 81-të, duke e cuar rezultatin në 2-0 dhe duke shënuar njëkohësisht golin e 205-të të Tiranës ndaj Besës në 121 ndeshje midis dy ekipeve. Bilanci tani flet edhe më shumë për Tiranën: 68 fitore, kundrejt 15 fitoreve të Besës (38 barazime).
PIKANTE - Në javën e 17-të Tirana do të udhëtojë drejt Shkodrës, ku shkodranin Hafizi e pret në "Loro Borici" një sfidë tërheqëse me skuadrën e Vllaznisë, me të cilën me të cilën është shpallur kampion si trajner në sezonin 1991-1992, por nga ana tjetër do të gjejë në bankinën e Vllaznisë, tiranasin Mirel Josa, që nga ana e tij e ka drejtuar Tiranën dy herë, duke fituar një titull kampion (2004-2005) dhe një Kupë të Shqipërisë (2005-2006).
Tirana-Besa 2-0
Shënues: D.Xhafaj 37', K.Duro 81'
22 dhjetor, "Selman Stërmasi"
Gjyqtarë: S.Jareci, D.Rexha-D.Koreshi
Bilanci midis dy ekipeve: 120 ndeshje; 67 fitore Tirana, 38 barazime, 15 fitore Besa. Golat: 203-103
Faza e parë: Java 5, 26 shtator
Besa-Tirana 3-1
Golat: Francois Elokan 15, Emiljano Veliaj 55pen, 80/Klodian Duro 88
Faza e dytë: Java 16, 22 dhjetor
Tirana-Besa 2-0
Golat: Daniel Xhafaj 37, Klodian Duro 81