Radonjiç dhe Muça, të vetmit që garojnë për stolin e Vllaznisë
Mbyllja sezonit në një pozicion jo komod në tabelë dhe shkarkimi i trajnerit Edi Martini pas humbjes me Teutën kanë detyruar Vllazninë të hidhet në kërkim të një tekniku, i cili duhet të drejtojë skuadrën në sezonin e ardhshëm drejt objektivave të mëdha, titullit kampion dhe Kupës së Shqipërisë. Pas një kohe intensive, të vetmet kandidatura, të cilat mbeten ende në “sitën” e presidentit Valter Fushaj, janë dy shqiptarë dhe një malazez. Presidenti shkodran konfirmoi se ka kontakte me tre trajnerë, mes të cilëve do të zgjedhë edhe teknikun e ardhshëm të Vllaznisë. Edhe pse ndër të parët e përfolur, mbetet ende në lojë emri i Agim Canajt, i cili i ka të pakta shanset që të drejtojë Vllazninë. Ndoshta ato që kanë ndikuar në këtë konkluzion, kanë të bëjnë me faktin se në garë janë futur edhe dy trajnerë me emër, Shkëlqim Muça i saposhpallur kampion në krye të Dinamos dhe drejtori i ekipeve kombëtare të Malit të Zi, Mojas Radonjiç. “Kam zhvilluar bisedime me Agim Canajn. Po ashtu, kam pasur kontakte telefonike me Shkëlqim Muçën, me të cilin do të kem edhe një takim kokë më kokë. Ndërkohë që një tjetër alternativë e vlefshme është edhe drejtori i ekipeve kombëtare të Malit të Zi, Mojas Radonjiç”. Nga ajo që lë të nënkuptojë biseda me numrin një të kuqebluve, duket se dy të fundit, Muça dhe Radonjiç, konkurrojnë me njëri-tjetrin për stolin e Vllaznisë, ndërsa Cana tashmë duket më i postuar.
#