E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klodian Duro: “Shkodra më sjell gjithmonë fat”

EKSKLUZIVE- "Shpresoj në Shkodër se do të përsërisim fitoren e Rusisë edhe me Slloveninë", kështu shprehet për Albania-sport.com. mesfushori i njohur i Kombëtares kuqezi dhe rekordmenes shqiptare, Tiranës, Klodian Duro.
"Edhe pse trajneri Oto Baric mungoi për arsye objektive, ne jemi përgatitur shumë seriozisht nën urdhrat e ndihmësve të tij, Kovacic dhe Duro, dhe ata kanë ditur të na motivojnë për të arritur fitore me sllovenët për të marrë tri pikët dhe për t'i kaluar ata dhe në renditje", shton mesfushori 29-vjecari Duro, i cili nuk është aktivizuar në tri ndeshjet ndërkombëtare të kualifikueseve Euro 2008: kundër Bjellorusisë, Rumanisë dhe Holandës, për shkak se ka qenë i dëmtuar.
"Personalisht do të më bëhej shumë qejfi pasi kam përjetuar gjithmonë momente të bukura në stadiumin "Loro Borici", kur kam luajtur për fanellën e Vllaznisë, dhe se herë kam luajtur aty me ekipet e tjera, përfshirë dhe dy ndeshjet ndërkombëtare me Rusinë dhe Maqedoninë. E dëshiroj shumë një fitore të bukur, dhe pse jo të asistoj apo të shënoj golin e fitores", që kujton se në Shkodër për Vllazninë ka shënuar edhe gol në Kupën UEFA kundër Rejkavikut të Islandës.
Ish-mesfushori i Elbasanit, Vllaznisë, Partizanit dhe tashmë në forcë prej dy sezonesh me Tirana, ka një eksperiencë të madhe ndërkombëtare në radhët e katër ekipeve turke (Gallatasaraj, Samsunspor, Malatiaspor, Caykur Rizespor) dhe në Gjermani me Arminia Bielfeld.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›