Klodian Çela: “Jam shumë i zhgënjyer nga indiferenca e Berishës dhe Ramës pas letrës time”
Megjithëse po kalon një verë interesante mes udhëtimeve dhe impenjimit në një program radiofonik tek “Top Albania Radio”, përsëri e bren ideja e indiferencës për faktin se nuk e mendonte kështu. Ka bërë jo pak bujë përmendja e emrit të Klodian çelës nga Sekretarja e Shtetit në SHBA, Hillary Klinton, në ditën botërore të mbrojtjes së të drejtave të komunitetin gei, lesbikë dhe transeksualë. Gjithashtu ambasadori i SHBA –ve, Hollandës dhe shumë titullarë të disa ambasadave të tjera në Shqipëri kanë dalë hapur në mbrojtje të Klodit, duke bërë thirrje për mos diskriminin e tij. Por ajo që i ka munguar djalit 36-vjeçar nga Lezha ka qenë pikërisht suporti nga shqiptarët, nga drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme. Megjithëse tashmë është aprovuar ligji për mbrojtjen e homoseksualëve, duket se akoma ka paragjykime për ta. Në pritje të një reagimi, pasi ka kërkuar ndihmë dhe mbështetje në përgjithësi nëpërmjet artikujve të ndryshëm nëpër gazeta, Klodi i është drejtuar me një letër të hapur Kryeministrit të vendit zotit Sali Berisha dhe kryetarit të PS dhe të Bashkisë së Tiranës Edi Ramës. Ai i vë ata në dijeni se mbas deklarimit në “Big Brother” të homoseksualitetit të tij, jeta e tij dhe e familjarëve ka ndryshuar krejtësisht. Jo vetëm që nuk është pranuar me natyrshmëri, por përkundrazi ai dhe familja e tij janë ndjerë të diskriminuar. Vëllezërit e tij nuk mund të kthehen në Lezhë, mamaja e tij nuk arrin të bëjë punën e saj ashtu si një vit më parë në plazhin e Durrësit. Klodi priste një vëmendje për të dhe familjen e tij dhe një reagim jo vetëm me fjalë, por mbi të gjitha me vepra, pasi nuk mjafton të thuash që ne jemi vend demokratik që diskriminim e dënojmë me ligj, por duhet edhe ta demonstrosh atë me vepra. Disa javë pas publikimit të letrës, Klodi rrëfen se nuk ka marrë akoma përgjigje nga asnjëri, as publike dhe as në rrugë private dhe e gjitha kjo e çudit pa masë. Të shohim nëse ky shkrim që po publikjmë sot do të mund të zgjojë sado pak interesin e tyre.