Xhaçka: Vokshi,korrupsion me lejet e naftës
Partia Socialiste akuzoi sërish deputeten demokrate Albana Vokshi. Deputetja socialiste Olta Xhaçka, nxori dje fakte mbi pasurimin korruptiv sipas saj të deputetes Vokshi. Sipas PS, Vokshi në kohën kur ka punuar si Këshilltare e Kryeministrit i ka dhënë kompanisë së babait të fëmijëve të saj, kontrata konçesionare në tre fusha prodhimi nafte dhe gazi natyror. Kjo në konflikt të hapur interesi me detyrën e zonjës Vokshi. "Duam të bëjmë publike sot disa fakte të tjera mbi pasurinë e fshehur të ish-këshilltares ekonomike të Kryeministrit Berisha, sot deputete e Partisë Demokratike. Bashkëshorti i zonjës Vokshi, babai i fëmijës së saj është një nga aksionerët kryesorë të një kompanie të regjistruar në ishujt Kajman, e cila aktualisht vepron në fushën e nxjerrjes së naftës dhe gazit natyror në Shqipëri. Siç thuhet edhe në faqen zyrtare të kësaj kompanie, Stream Oil u krijua për të shfrytëzuar rezervat e naftës në Shqipëri. Sot kjo kompani, megjithëse është regjistruar në bursën e Torontos zhvillon aktivitetin e saj vetëm në Shqipëri. Arian Tartari, bashkëshorti i zonjës Vokshi është një nga dy aksionerët e vetëm me të drejta vendimmarrjeje në këtë kompani, ku zotëron 12% të aksioneve apo në vlerë monetare rreth 3 milionë e gjysmë dollarë amerikanë, pasuri kjo e padeklaruar prej znj. Vokshi. Mund ta vërtetoni këtë në deklaratën e takimit të aksionerëve", u shpreh Xhaçka.