E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse Kosova ka nevojë për rezolutë të re

OPINION nga MENTOR NAZARKO

Rasti Kosovë ka inkurajuar diskutime të mëdha jo thjesht doktrinare në fushën e së drejtës ndërkombëtare...

...Po hiqen paralele me zhvillime të tjera anembanë botës, por ajo çka mbetet më e rëndësishme është se mendimi këshillimor i GJND ka rritur cilësisht debatin apo diskutimin politik në Kosovë. Ai është pasuruar me argumente që kanë vlerë globale që dalin nga kuadri kosovar.
Ka një temë kryesore në këtë këndvështrim në Kosovë: a duhej Qeveria, ministri i Jashtëm të kërkonte një rezolutë të re në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit apo jo?
Në favor të idesë se Kosova duhet të kërkojë rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit, pasi rezoluta 1244 ka rënë, ishte shprehur më parë AKR-ja dhe ministri i Jashtëm Hyseni e rimori këtë argument në mbledhjen e fundit të Këshillit. Siç mund të imagjinohet, zoti Hyseni është këshilluar me sponsorët e pavarësisë së Kosovës, siç i quajti ai, dhe kjo kërkesë nuk është thjesht ide e tij. Ndërkohë kundër kësaj ideje është zoti Veton Surroi, i cili madje me një gjuhë metaforike tha në Institutin e Paqes në Uashington se "rezoluta 1244 ka rënë virtualisht". Po ashtu zoti Surroi tha se Kosova bëri gabim strategjik që iu drejtua Këshillit të Sigurimit. Kush ka të drejtë?
Mund të thuhet si pjesë e përbashkët e të dy pozicioneve, se rezoluta 1244 ka rënë pas mendimit të fundit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, veçanërisht sa i takon statusit të Kosovës, por ky mendim nuk mund ta shpallte qartë rënien e rezolutës, të cilën nuk ia kishin kërkuar. Rezoluta 1244 ka rënë në pjesën e statusit, sepse GJND e konsideroi si legal shpalljen e pavarësisë së Kosovës, pra kalimin e Kosovës në një status të ri, nga statusi i përkohshëm parashikuar nëpërmjet saj. Ndaj për statusin e ri ndërkombëtar të Kosovës, duhet një rezolutë e re. Rezolutat e reja, me natyrë detyruese i miraton vetëm Këshilli i Sigurimit. Ndërkohë është e sigurt që kjo rezolutë është në fuqi për pjesën tjetër. KFOR-i, UNMIK-u, në të gjitha aspektet (për ato funksione të mbetura që ushtron) dhe EULEX-i në disa aspekte të veçanta, janë mbështetur dhe mbështeten juridikisht në atë rezolutë.
Në pikëpamje politike kërkesa e fundit Këshillit të Sigurimit për abrogimin e rezolutës 1244 ishte thjesht njëlloj testimi për raportin e forcave, për modifikimin e pozicioneve të Rusisë, të Kinës, për ta regjistruar kërkesën që ndoshta shqyrtohet vitin tjetër, etj. është fare e qartë se midis fuqive të mëdha sot për sot ka marrëdhënie të relaksuara, por jo aq sa SHBA-të të investohen suksesshëm në një rezolutë të re, që duhet të shënojë pranimin përfundimtar të Kosovës në familjen e kombeve. Po ashtu kërkesa e Hysenit nuk do të thoshte domosdoshmërisht që të duhet të kishim një vendim apo një rezolutë sot me vetëm një nen: "rezoluta 1244 ka rënë". Jo.
Po çfarë teksti mund të kishte rezoluta e re? Duke supozuar këtë tekst, praktikisht u japim përgjigje të gjitha pyetjeve pse duhet një rezolutë e re:
Në tekstin e saj duhej të kishim:
a) pranimin e mendimit këshillimor të GJND dhe trajtimin e efekteve legale të shpalljes së pavarësisë. (Ajo që thonë me të drejtë serbët se GJND nuk e shqyrtoi).
b) rikonfirmimin e integritetit territorial të Kosovës në kufijtë e referuar ndërkombëtarisht të para 1989 (sipas marrëveshjes së Kumanovës).
c) një grup nenesh që zgjidhin periudhën tranzitore të kalimit nga pavarësia e mbikëqyrur në pavarësi të një lloji tjetër. (Për sa vjet duhet të rrijë KFOR-i; si duhet rikualifikuar prania e EULEX-it, etj.).
d) trajtimin e trashëgimisë së marrëdhënieve ndërshtetërore Serbi-Kosovë (borxhi, pronat e patundshme, etj). Dmth. duhet të ofrohet zgjidhje për këto çështje në modelin e ndarjes së republikave të tjera ish-jugosllave, apo të Marrëveshjes së Dejtonit.
Më në fund, rezoluta e re, e miratuar me votën pro të 5 anëtarëve të përhershëm me të drejtë vote dhe shumicën e anëtarëve të KS, do të duhej të përmbante rekomandimin që Asambleja e Përgjithshme ta pranonte Kosovën si një shtet që e do paqen, në familjen e shteteve me të drejta të plota. Kjo është procedura e parashikuar në nenin 4 të Kartës së OKB-së. Kjo Asamble me votën e dy të tretave të anëtarëve të saj do ta shpallte përfundimisht Kosovën anëtare të OKB-së.
Një rezolutë e tillë më në fund mund të mos kishte asnjë nen që t'i referohej 1244. Pra, që ta shpallte në mënyrë eksplicite abrogimin e saj, por thjesht ta zëvendësonte atë në të gjitha aspektet. Por që Kosova duhet t'i drejtohet Këshillit të Sigurimit dhe që vetëm Këshilli i Sigurimit miraton rezoluta detyruese, kjo duket pak, por e sigurt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›