E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klonuesit e kartave, gjykata jep dënimet për "Matrix"

Gjykata e Tiranës dha dje vendimin për 14 të pandehurit të cilët u arrestuan në gusht të 2008 pasi nëpërmjet klonimit të kartave të kreditit kanë kryer vjedhje në dhjetëra degë bankare. Viktimat ishin qytetarë të huaj. 

TIRANE- Gjykata e Tiranës dha dje vendimin për 14 të pandehurit e dosjes "Matrix". Sipas trupit gjykues, i cilësuari si kapo i grupit të hakersave, Endrit Gjergjani (Laro) do të vuajë plot 3.4 vjet burg. Në qeli do të qëndrojnë Kreshnik Luka dhe Alban Bare, përkatësisht me 2 dhe një vit secili. Rei Karapici, Enea Çela, Redi Çikani dhe Ledio Doko, u dënuan me nga 2 vjet secili. Dënimi u pezullua dhe të rinjtë nuk do të bëjnë asnjë ditë burg, por nëse kryejnë ndonjë vepër tjetër penale, veç dënimit të radhës do të vuajnë dhe këtë dënim. Tre të pandehurit e tjerë, Fatmir Borshi, Klajdi Therolli dhe Fatmir Kolmarku, do të paguajnë secili nga 140 mijë lekë. Ndërsa, Anil Gjergjani (Laro), Indrit Abazi, Blerim Abazi dhe Flamur Gashi u shpallën të pafajshëm. Të rinjtë u arrestuan në gusht të 2008, në kuadër të operacionit policor të koduar "Matrix 4", pasi nëpërmjet klonimit të kartave të kreditit kanë kryer vjedhje në dhjetëra degë bankare. Grupi i adoleshentëve i blinte online kodet dhe numrat e llogarive bankare dhe pasi siguronte të dhënat e nevojshme, bënte klonimin e kartave. Me anë të tyre tërhiqnin shuma të ndryshme parash. Viktimat e hakersave shqiptarë ishin kryesisht qytetarë të huaj. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e të gjithë të pandehurve me burg. Duke mos qenë dakord me vendimin e gjykatës, organi i akuzës do ta apelojë atë në shkallën e dytë të gjyqësorit.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›