Klos, 46-vjeçari gjendet i vdekur 3 muaj pas dhunës së bashkëfshatarit
KLOS - Ka humbur jetën në rrethana misterioze një 46-vjeçar, banor i fshatit Bejn në bashkinë e Klosit. Burime pranë komisariatit të policisë Mat sqaruan se mëngjesin e ditës së djeshme është gjetur i pajetë, në afërsi të fshatit, në lëndinën e quajtur “Fusha e Kadiut” shtetasi Hasan Adem Kadiu, 46 vjeç, babai i gjashtë fëmijëve. Të afërmit kanë informuar me urgjencë policinë lokale se mëngjesin e ditës së premte ai kishte humbur çdo kontakt me Hasanin. E gjithë familja ishte vënë në kërkim, duke e gjetur të pajetë, rrëzë një gëmushe. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor dhe nga hetimet e para rezulton se në trupin e Kadiut nuk ka pasur shenja dhune. Mirëpo familjarët tregojnë për gazetën “Panorama”, se tre muaj më parë viktima është dhunuar keq me mjete rrethanore nga një bashkëfshatar i tyre, duke i shkaktuar dëmtime serioze në kokë. Sipas tyre, prej asaj kohe pësoi çrregullime serioze. “Jeta e tij ndryshoi për keq. Ai nuk sillej si më parë. Kishte humbur kujtesën dhe nuk ishte i përqendruar”, thanë të afërmit e Hasan Kadiut. Të afërmit kanë kërkuar nga Policia e Shtetit të rihapë hetimet e mbyllura për dhunën e ushtruar mbi njeriun e tyre. Ndërkohë që po hetohet për shkaqet e vdekjes. h.p