E Diel, 1 Nëntor 2026

Borxhet, gjendet i vetëvarur në banjo babai i dy fëmijëve

 

TIRANE - Një 38-vjeçar është gjetur i varur në banjon e shtëpisë së tij në Kombinat, nga bashkëshortja. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë rreth orës 03:00 në Kombinat, zonë në periferi të kryeqytetit. Fatmir Emini, babai i dy fëmijëve të mitur, është gjetur pa jetë nga bashkëshortja dhe nëna e tij. Sapo kanë parë që Emini nuk kishte shenja jete, ato kanë lajmëruar policinë e Komisariatit nr. 6, të cilët kanë shkuar menjëherë në apartamentin e katit të dytë të pallatit ku kishte ndodhur ngjarja. Sipas bashkëshortes së të ndjerit, pasi kanë ngrënë darkë ata janë shtrirë për të fjetur pa pasur asnjë lloj debati, madje ajo ka treguar se 38-vjeçari atë natë në ndryshim nga netët e tjera ishte shumë i qetë. Sipas policisë, Fatmir Emini dyshohet të ketë varur veten si pasojë e depresionit që po kalonte kohët e fundit. Oficerët e policisë kanë arritur në këtë përfundim, pasi gjatë deklarimeve të saj, bashkëshortja e Eminit ka treguar se familja e tyre ishte zhytur në borxhe dhe si rezultat i papunësisë nuk kishin pasur mundësi që t’i shlyenin në kohë. Sipas saj vetëm kjo mund të ketë qenë arsyeja që 38-vjeçari ka vendosur t’i japë fund jetës.                                     e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›