Kreu i “Go West” Apeli shfuqizoi dënimin, bie bllokimi i pronave
TIRANE – Shtatë muaj pasi ktheu për rigjykim në shkallën e parë dosjen e të arrestuarve nga operacioni “Go West”, Apeli i Krimeve të Rënda dërgon për rishqyrtim edhe sekuestrot e pronave për të akuzuarin si kreu i grupit, Nikolin Cako. Vendimi ndaj pronave të të dyshuarit si drejtuesi i grupit, që me anë të dokumenteve të falsifikuara mundësonin dërgimin e personave të ndryshëm në 29 vende të ndryshme të globit, u shpall pak ditë më parë nga togat e zeza të Apelit. Burime pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda pohuan se bëhet fjalë për prishjen e vendimit të shkallës së parë për masën e sekuestros ndaj ambienteve të agjencisë së udhëtimit “Go West”, si edhe të një llogarie bankare në emrin e Nikolin Cakës. Sipas burimeve, dosja është kthyer për rishqyrtim me arsyetimin se nuk mund të mbahej nën masën e sekuestros pasuria e një personi, ndaj të cilit nuk ka një vendim fajësie. Në ditët në vijim pritet që të zgjidhen me short gjyqtarët që do të shqyrtojnë në shkallën e parë të Krimeve të Rënda sekuestrot e Cakës. Verdikti për sekuestrimin e pasurive të Nikolin Cakës, me pretendimin se janë pasuri të vëna me anë të parave të siguruara nga veprimtari e jashtëligjshme, u mor nga Gjykata e Krimeve të Rënda në nëntor të vitit 2008. Ndërsa vendimi i pak ditëve më parë e prishi atë dhe e dërgoi çështjen për rishqyrtim. Operacioni “Go West”, prej së cilit u arrestua edhe Nikolin Cako, u shënua në nëntor të vitit 2005. I vlerësuar si një nga operacionet më të suksesshme të kohës, ai përfundoi me vënien në pranga të 9 personave. Ata akuzoheshin nga prokuroria për “falsifikim të dokumenteve” dhe “dhënie për ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”. Në shkallën e parë të Krimeve të Rënda ata u dënuan me një total prej 68 vjetësh burg në korrik të vitit 2008. Ndërsa në nëntor të po këtij viti Gjykata e Apelit e ktheu çështjen për rigjykim në shkallën e Parë. Ndërsa qëndronin në qeli, për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit një vendim gjykatë i ndryshoi Nikolin Cakës masën e sigurisë. Sipas vendimit të 31 marsit të vitit 2009, gjykata e liroi atë nga “arresti me burg” dhe i caktoi masën “arrest shtëpie”. ar.ba