Tiranë, 5 shkelje në Hipotekë
Fatos Mahmutaj
Kërkesa të shumta për fshirje pronash të mbivendosura, aplikime pa përgjigje, praktika që flenë në tavolinat e regjistruesve prej më tepër se një viti, kërkesa për dokumente të noterizuara kur paraqiten origjinalet dhe mjaft raste të humbjes së praktikave. Këto janë shkeljet që grupi i kontrollit ka gjetur në punën e kryeregjistrueses së rrethit Tiranë, Dorina Stringa, gjatë një inspektimi të përfunduar pak ditë më parë. Tashmë raporti i kontrollit i është dorëzuar kryeregjistruesit të Republikës së bashku me rekomandimet, personat që janë gjetur me shkelje. Burime nga ky institucion pohojnë se kontrollet janë vënë në lëvizje, pasi qytetarë të ndryshëm kanë dorëzuar letra me ankesa në të cilat pretendojnë se nga punonjësit e Hipotekës është abuzuar me pronat e tyre. Pas ankesave, kohët e fundit janë kryer tre kontrolle të njëpasnjëshme në zyrën e regjistrimit të pasurive në kryeqytet, e cila drejtohet nga Stringa. Në fund të inspektimeve, kjo zyrë ka rezultuar me probleme të shumta, por pesë prej tyre janë konsideruar më kryesoret.
Problemet
Kontrolli ka gjetur dhjetëra kërkesa të qytetarëve dhe institucioneve të tjera për fshirje të pronësive të mbivendosura, të cilat edhe pse u ka kaluar afati prej disa kohësh, kanë mbetur pa zgjidhje nga ZVRPP-ja, Tiranë. Po kështu janë gjetur mjaft aplikime, për të cilat nuk u kthehet përgjigje qytetarëve edhe pasi kanë kaluar shumë muaj, nga 15 ditë që e parashikon ligji. Por ajo që është më problematike në këtë rast është numri i madh i praktikave që “flenë” mbi tavolinat e punës së regjistruesve, të cilat janë bllokuar nga Stringa me anë të shënimeve të vendosura sipër dokumenteve me letër ngjitëse. Punonjësit e ZVRPP të kryeqytetit të kontaktuar nga kontrollorët kanë pohuar se regjistruesja u kishte dërguar shënime me copa letrash të verdha, të cilat ata i kishin ruajtur për të justifikuar vonesat që u kanë shkaktuar qytetarëve. Po kështu në mjaft raste, qytetarëve që kanë depozituar në Hipotekë dokumente origjinale, nga regjistruesit me urdhër të Stringës, u është kërkuar të depozitojnë edhe dokumente noteriale apo të lëshuara nga Agjencia e Kthim-Kompensim-Pronave, mënyrë kjo që ka sjellë sorollatjet e vazhdueshme të qytetarëve.
Kontrolli
Po kështu nuk kanë munguar edhe rastet kur nëpër zyra kanë humbur praktika të shumta të qytetarëve, për të cilat askush nuk ka mbajtur përgjegjësi deri tani. Qytetarët pretendojnë se i kanë dorëzuar dokumentet sipas ligjit dhe kërkesave që u kanë paraqitur punonjësit e Hipotekës, ndërsa kur janë interesuar më vonë kanë marrë përgjigjen se dokumentet e tyre nuk gjendeshin. Ky ka qenë problem kryesisht i regjistruesve të larguar nga puna, por nuk kanë munguar edhe rastet me punonjës aktualë të Hipotekës. Përballë këtyre problemeve qytetarët kanë parë si të vetmen zgjidhje dërgimin e letrave në zyrën e kryeregjistruesit shqiptar, ministrit të Drejtësisë dhe institucioneve të tjera qendrore. Janë pikërisht këto letra ato që kanë vënë në lëvizje inspektorët, pas të cilëve ka rezultuar se shqetësimet e qytetarëve ishin të vërteta.
Inspektimi pas ankesave dhe letrave të qytetarëve
Kontrollet në ZVRPP Tiranë, gjetën shkeljet e kryeregjistrueses Stringa
TIRANE - Tre kontrolle të njëpasnjëshme në Hipotekën e Tiranës u zhvilluan pak ditë më parë pas ankesave të qytetarëve për abuzime nga punonjësit e këtij institucioni. Muajt e fundit, duke u nisur nga ankesat e shumta të qytetarëve si dhe detyrimin për të kryer kontrolle rutinë, inspektorët e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme muajt e fundit kanë kryer tre kontrolle të njëpasnjëshme në ZVRPP të kryeqytetit. Në përfundim të tyre janë evidentuar një sërë shkeljesh të rënda, ku mes punonjësve që kanë kryer ato ndodhet edhe regjistruesja e Tiranës, Dorina Stringa, e cila ndodhet në krye të Hipotekës së Tiranës prej rreth një viti. Pak ditë më parë raportet e kontrollit i janë drejtuar kryeregjistruesit të Republikës së bashku me rekomandimet e nxjerra në bazë të shkeljeve të konstatuara. Ndërkohë prej tij pritet t’i dërgohen edhe ministrit të Drejtësisë. Burime nga ky institucion pohojnë se pas kontrollit të kryer në dokumentacionin e Hipotekës së kryeqytetit me shkelje janë gjetur edhe disa regjistrues të tjerë, për të cilët gjithashtu në raportin e kontrollit janë rekomanduar edhe masat për ta. Kontrolle janë kryer edhe nëpër hipotekat e disa rretheve të tjerë, ku më problematiket paraqiten ata që kanë kufi bregdetarë, si Vlora e Durrësi, ndërsa muaj më parë në të njëjtën gjendje ka qenë edhe rrethi i Lezhës. Për shkak të kërkesave të shumta për sipërfaqe në këto rrethe, sidomos në zonat e qyteteve dhe në bregdet. Po kështu probleme ka pasur edhe Hipoteka e Lushnjës në lidhje me disa regjistrime të kryera në sipërfaqe të ndryshme në qytet. Ndërkohë të njëjtat burime pohojnë se në javët në vazhdim pritet të kryhen edhe disa kontrolle të tjera nëpër zyrat e regjistrimit të pasurive nëpër disa rrethe të tjera. f.m.