Velipojë, këtë verë plazhi i sigurt me roje bregdetare
VELIPOJE/ RIDVAN DIBRA
Komuna e Velipojës ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik të këtij viti. Dy nga problemet kryesore me të cilat janë përballur pushuesit e shumtë gjatë viteve të kaluara, sigurimi i rojeve bregdetare dhe banjat publike tashmë janë zgjidhur përfundimisht. Kryetari i komunës, Nikoll Marku, pohoi dje se zgjidhja erdhi duke bashkëpunuar me biznesin privat dhe nënshkrimit të kontratave me ta. “Dy vjet më parë u bë një sezon eksperimental, ku një OJF, e ndihmuar edhe nga OSBE-ja zbatoi për herë të parë një projekt për rojet bregdetare që pati rezultat. Vjet ramë dakord me një shoqatë të huaj, por nuk u bë i mundur realizimi i projektit. Pasoja ishte: 8 persona të mbytur. Rritja e numrit të viktimave në det bëri që këtë vit të shpejtojmë për gjetjen e një zgjidhjeje, pasi nuk mund të lejojmë që të jetë e njëjta situatë si vitet e tjera”. Sipas Markut, kjo do të arrihet pasi po bashkëpunohet me biznesin privat që vepron në plazhin e Velipojës. Ai sqaron se është rënë dakord që çdo plazh privat të marrë përsipër shërbimin e rojeve bregdetare dhe të ngritjes e funksionimit të banjave publike. Deri tani parashikohet që në plazhin e Velipojës, këtë sezon turistik të ketë rreth 33 zona që do të menaxhohen nga privatë, të cilët kanë marrë përsipër mbikëqyrjen me roje për territorin e plazheve të tyre. Ndërsa për zonën publike të plazhit, përgjegjësia do të jetë e komunës. Marku thekson se komuna me fondet e veta mund të përballojë pjesën publike të plazhit të Velipojës.
Të qenit zonë turistike me hotele ka sjellë dhe fronte të shumta pune në Velipojë. “Nëpërmjet komunës është nxitur edhe punësimi në hotele. Po kështu, ka dhe punësim sezonal, siç është rasti i mbi 40 punëtorëve të pastrimit që kanë një pagesë prej 25 mijë lekësh”, pohon kryekomunari. Ndërsa flet për përgatitjet për sezonin turistik, ai thotë se komuna e Velipojës ka një projekt, i cili është miratuar nga këshilli, i cili synon pastrimin e plazhit me pajisje teknologjike të reja. Janë marrë masat për të gjitha shërbimet, ujërat e zeza etj. Më 1 maj u bë vendosja e disa banjave publike përgjatë vijës bregdetare për turistët. Ndërsa në ditët e para të qershorit është realizuar dhe vendosja e 50 banjave publike të tjera. Këtë sezon turistik, furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm në Velipojë do të jetë në nivelin maksimal. Kjo falë investimeve që janë bërë për vite me radhë.