E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: “Berisha kërkon ta mbulojë krizën përmes shpifjeve”

“Akuzat e Berishës zhvendosin vëmendjen nga krizat në vend”. Xhaçka: “Duke mos hapur kutitë, Berisha pranon se qeveria është ilegjitime”

Eljona Ballhysa
Partia Socialiste ka reaguar dje nga akuzat e përsëritura të kryeministrit Berisha dhe të anëtarëve të kabinetit qeveritar. Deputetët socialistë Olta Xhaçka dhe Blendi Klosi i kanë cilësuar shpifje akuzat e Berishës dhe të ministrave të tij drejtuar kreut të opozitës. Sipas deputetëve të selisë rozë, strategjia e Berishës është që nëpërmjet shpifjeve të largojë vëmendjen e opinionit publik nga krizat e shumta që kanë mbërthyer vendin, jo vetëm kriza ekonomike, por edhe skandalet e shumta në të cilat janë përfshirë ministrat e kabinetit qeveritar. Deputetët socialistë shtuan se duke mos hapur kutitë e votimit, Berisha nuk bën gjë tjetër veçse pranon faktin se qeveria e tij është ilegjitime dhe si e tillë ajo duhet të rrëzohet. Socialistët bëjnë thirrje ose për transparencën e procesit zgjedhor, ose për zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që t’i jepet fund situatës në të cilën ndodhet sot vendi.
Reagimi
“Sot, gjuha e urrejtjes u përdor sërish nga Sali Berisha dhe ushtarët e tij. Sot shqiptarët panë një tjetër shfaqje të turpshme, që tentonte sërish ta zhvendoste vëmendjen nga kutitë e krimit elektoral të 28 qershorit, mbi të cilat Sali Berisha dhe ushtarët e tij qëndrojnë ulur. E ka ndritur Ridvan Bode ekonominë e Shqipërisë dhe financat e shqiptarëve, që del e shpif duke qëndruar ulur mbi kutitë e votimit. E ka ndritur Genc Pollo arsimin në Shqipëri, që del e gënjen duke qëndruar ulur mbi kutitë e votimit. E ka ndritur Sokol Olldashi tunelin e Kalimashit, që del e mashtron duke qëndruar ulur mbi kutitë e votimit. Për Sali Berishën dhe ministrat e tij ka mbetur vetëm një zgjidhje: Të hapin kutitë. Përndryshe, duke mos hapur kutitë, Sali Berisha pranon se qeveria e tij është ilegjitime, duke thelluar edhe më shumë krizën që ka mbërthyer vendin. Të hapë kutitë, përndryshe për Sali Berishën nuk ka zgjidhje, por vetëm zgjedhje”, - është shprehur dje gjatë një deklarate për shtyp deputetja Olta Xhaçka.
Ndërsa Klosi, gjatë deklaratës së tij, shtoi se Sali Berisha, ministrat dhe deputetët e tij besnikë, kanë vendosur të mos merren më me punët e shqiptarëve, por janë shpërndarë anembanë Shqipërisë për të lëshuar të pavërteta në adresë të Partisë Socialiste dhe kryetarit të saj. “Sot, Shqipëria, fatkeqësisht, qeveriset nga një person që nuk është mandatuar nga shumica e shqiptarëve. Ky njeri po përpiqet sot të mbajë me çdo kusht një pushtet kundër vullnetit të popullit të tij. Në kohën kur qeveritë e gjithë botës prodhojnë politika për të lehtësuar impaktin e krizës mbi qytetarët, Sali Berisha, si i fundit komunist i mbetur në pushtet në Europë, kërkon të mbulojë krizën përmes shpifjes”, - është shprehur Klosi, ndërsa ka dënuar gjuhën e urrejtjes së përdorur nga Berisha. “Ajo çka kemi parë e dëgjuar në këto ditë festash ka qenë gjuha e urrejtjes e përdorur nga Sali Berisha, duke hyrë në këtë mënyrë me dhunë në jetën e familjeve shqiptare. Duke mos i hapur kutitë, Sali Berisha thellon krizën dhe qeveria e tij bëhet gjithmonë e më ilegjitime, për pasojë bizneset e vogla e të mëdha do të vazhdojnë të vuajnë presionin e qeverisë, familjet do të vazhdojnë të vuajnë rritjen e çmimeve të ushqimit, pensionistët rritjen e çmimit të energjisë, të sëmurët mungesën e përkujdesjes shëndetësore. Për Sali Berishën ka mbetur vetëm një zgjidhje: Të hapë kutitë. Përndryshe, për të nuk do të ketë më zgjidhje, por vetëm zgjedhje”, - është shprehur Klosi gjatë fjalës së tij.

2 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›