Ligjet që kërkojnë 84 vota mbeten peng të krizës politike
Eljona Ballhysa
Një ndër kushtet parësore të ndërkombëtarëve për integrimin e vendit në Bashkimin Europian është kriteri politik që përfshin realizimin e reformave nëpërmjet konsensusit. Një ndër reformat më të domosdoshme që duhet të ndërmarrë vendi është reforma në Drejtësi, që përfshin miratimin e një sërë ligjeve që rregullojnë të drejtat dhe detyrimet e institucioneve të rëndësishme kushtetuese. Por, miratimi i këtyre ligjeve kërkon domosdoshmërisht praninë e opozitës në Kuvend dhe konsensusin e saj. Pjesëmarrja e opozitës është e nevojshme jo vetëm në momentin e miratimit të këtyre ligjeve, por edhe gjatë periudhës së hartimit, konsultimit dhe diskutimit në komisionet parlamentare. Mungesa e saj sjell bllokim ashtu sikurse ka ndodhur në fakt. Gjatë këtyre muajve, kur Kuvendi ka vazhduar punimet pa opozitën, janë rralluar seancat parlamentare; nga dy të tilla që janë zhvilluar gjatë legjislaturave të kaluara tani zhvillohet vetëm një; janë rralluar projektligjet që kalojnë për miratim. Në fakt, numri i projektligjeve ka qenë i pakët. Maxhoranca nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ratifikuar marrëveshje dhe ka miratuar ndonjë amendament ligjor që kërkon shumicë të thjeshtë votash. Projektligjet e rëndësishme dhe ato që janë pjesë e reformës në Drejtësi, që kërkojnë shumicë të cilësuar, ose 84 vota, kanë mbetur në kalendar.
Ligjet
Janë një pjesë e rëndësishme ligjesh që vazhdojnë të mbeten në axhendën e punimeve të Kuvendit, pa u futur në rend dite për pamundësinë e votimit. I tillë është ligji për ngritjen dhe funksionimin e Gjykatës Administrative. Ky ligj është hartuar gjatë legjislaturës së kaluar me pjesëmarrjen e opozitës, por nuk është miratuar në seancë parlamentare. Mosmiratimi i këtij ligji mban peng ngritjen e gjykatës, e cila do të lehtësojë tej mase procedurat gjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative që kanë bizneset e ndryshme me shtetin. Miratimi i këtij projektligji është kusht i ndërkombëtarëve.
Një tjetër ligj i rëndësishëm që kërkon 84 vota është ai për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Projektligji në fjalë është hartuar nga ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë, në bashkëpunim me misionet ndërkombëtare si EURALIUS, por në hartimin e tij nuk ka marrë pjesë opozita. Miratimi i këtij ligji do t’i japë zgjidhje një çështjeje të shumëdebatuar, siç është dualiteti i kompetencave të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ndërkaq, diskutimi i këtij projekti pritet të ndezë debatin për mënyrën e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Projektligj i rëndësishëm dhe që kërkon 84 vota është edhe ai për funksionimin dhe vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë. Kjo gjykatë është lakuar dendur gjatë vitit të kaluar, fill pas përplasjes mes Presidencës dhe Kuvendit për mënyrën e emërimit të anëtarëve të kësaj gjykate. Maxhoranca rrëzoi në Kuvend 6 dekrete të presidentit Topi për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Përfaqësuesit e lartë të PD-së e justifikuan vendimin e tyre me faktin se sipas tyre, presidenti nuk kishte marrë pëlqimin e Kuvendit për dekretet në fjalë, megjithëse çështja e dhënies së “pëlqimit” nuk është përcaktuar qartë në Kushtetutë. Pikërisht këto çështje të paqarta pritet t’i qartësojë miratimi i këtij projektligji.
Pjesëmarrja e opozitës në Kuvend është e rëndësishme edhe për projektligjin për funksionimin e Konferencës Gjyqësore. Edhe për këtë çështje ka pasur debate së fundi mes numrit dy të KLD-së dhe kryetares së Kuvendit. Ndaj, miratimi i tij është lënë pa afat, pasi maxhoranca mendon se ky organ mund të mblidhet dhe pa këtë ligj. Burimet bëjnë të ditur se Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur një projektligj për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Edhe ky projektligj kërkon miratimin në Kuvend me 84 vota.
Kushtetuta
Neni 81
2. Miratohen me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit:
a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve, të parashikuara nga Kushtetuta;
b) ligji për shtetësinë;
c) ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore;
ç) ligji për referendumet;
d) kodet;
dh) ligji për gjendjen e jashtëzakonshme;
e) ligji për statusin e funksionarëve publikë;
ë) ligji për amnistinë;
f) ligji për ndarjen administrative të Republikës.
2 Dhjetor 2009