E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: “Deputetët e PD-së së Durrësit nuk folën për TEC-in e vdekjes”



Kandidati për deputet në qarkun e Durrësit, Blendi Klosi, në kuadër të takimeve me banorët, është ndalur në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku gjatë fjalës së tij është shprehur se Partia Socialiste do të jetë forca që do të qeverisë vendin në 4 vitet e ardhshme. Sipas tij, deputetët që fituan mandatin në 2005-n në qytetin e Durrësit nuk e ngritën aspak zërin kundër ndërtimit të TEC-it në këtë zonë. “Tetë deputetë kishte Partia Demokratike në Kuvend në legjislaturën e kaluar. Askush dhe asnjëherë nuk u fol për TEC-in e vdekjes që po ndërtohet në Porto Romano. Askush dhe asnjëherë, asnjë fjalë nuk doli kundër interesave personale të Sali Berishës, ku për ndërtimin e një TEC-i të tillë rrezikojnë jetën, tokën, faunën, të ardhurat e këtij komuniteti”, - tha Klosi.

Dade: “Shqiptarët meritojnë një qeveri që t’u ngrejë dinjitetin”

Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës, Arta Dade, është takuar me banorët e lagjes “Granicë” në po këtë qytet, për të prezantuar pjesë të programit të ri. Dade është ndalur te problematikat e arsimit, që në këto 4 vjet kanë ardhur si rrjedhojë e politikave të dështuara të qeverisë së Sali Berishës. Dade u ka kërkuar qytetarëve të Gjirokastrës të votojnë Partinë Socialiste më 28 qershor, pasi sipas saj qeverisja e re socialiste do të ringrejë dinjitetin e shqiptarëve. “Pas 4 vitesh të qeverisë së Sali Berishës shqiptarët janë shumë herë më të varfër, shumë herë më të pasigurt. Pa dyshim, edhe Gjirokastra ndihet si e gjithë Shqipëria. Kjo është e pafalshme dhe e padrejtë. Shqiptarët meritojnë një qeveri që t’i ngrejë dinjitetin”, - tha Dade.

Blushi: “Asnjë shqiptar nuk jeton më mirë se 4 vjet më parë”

Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Korçës, Ben Blushi, është takuar me banorët e fshatrave Podgorie dhe Zvirin, për të prezantuar programin e ri të Partisë Socialiste. Blushi ka bërë me dije se fshati do të jetë prioriteti në mandatin e ri qeverisës. Gjatë fjalës së tij Blushi është ndalur në varfërinë që vuajnë sot shqiptarët, si rezultat i keqqeverisjes së kryeministrit Berisha. Ai tha se shqiptarët duhet të votojnë për PS-në, sepse qeverisja e re do t’i nxjerrë ata nga varfëria. “Nuk kam takuar asnjë shqiptar që të jetë krenar për votën që ka dhënë në 2005-n, sepse asnjë fermer, asnjë fshatar, askush, asnjë shqiptar, nga Tropoja në Sarandë, nuk jeton sot më mirë se në vitin 2005, madje, më keq nga sa kishte pritur”, - tha kandidati i Partisë Socialiste, Ben Blushi.

Ruçi në Lushnjë: “Berisha dështoi sepse u ktheu shpinën qytetarëve”

Kandidati për deputet i PS-së në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi, është takuar me gratë e vajzat e qytetit të Lushnjës, në kuadër të prezantimit të programit të ri qeverisës. Ruçi ka bërë me dije se Partia Socialiste i ka dhënë përparësi gruas në Parlament, për të qenë në masën 30% e përfaqësuar. Ai ka fajësuar kryeministrin Berisha për premtimet e pambajtura, i cili i ka kthyer shpinën jo vetëm qytetit të Lushnjës, por gjithë Shqipërisë, pasi më shumë ka menduar për pasurimin e familjes së tij: “Pasojat e dështimit të Berishës bien mbi kurrizin e të gjithëve ju. Ai para 4 vitesh ka bërë premtime për të marrë atë zyrë kryeministri, duke i thyer dhe shkërmoqur këto premtime njëra pas tjetrës, vetëm e vetëm që të hipte në atë zyrë. Për çdo herë, Berisha na ktheu shpinën, ai dështoi”, - tha Ruçi.

8 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›