E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në SHBA, zbardhet paketa e plotë e bursave për vitin akademik 2009-2010

Kandidatët që kanë të drejtë të aplikojnë për programin e bursave amerikane. Akomodimi në shtëpi. Në gusht fituesit nisin udhëtimin drejt familjeve amerikane

Jonida Tashi

Zbardhet paketa e plotë e bursave që qeveria amerikane ka vënë në dispozicion të shtetasve shqiptarë për vitin akademik 2009-2010. Bëhet fjalë për programin e bursave amerikane “YES” (Youth Exchange and Study), që është një program i themeluar në tetor të vitit 2002 dhe që mbështetet financiarisht nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Por, përveç ofrimit të bursës së studimit, programi “YES”, u siguron fituesve edhe akomodim pa pagesë në një prej familjeve amerikane. Në harmoni me iniciativat e mbështetura nga qeveria e Shteteve të Bashkuara për reforma demokratike, konkurrimi për bursat e programit “YES” bazohet në meritat personale dhe është i hapur për të gjithë aplikantët që plotësojnë kërkesat e mëposhtme.
Aplikantët
Për t’u pranuar si aplikant për të përfituar nga bursat amerikane një kandidat duhet të përmbushë një sërë kriteresh. Pikësëpari nevojitet që aplikanti të jetë i regjistruar aktualisht në vitin e parë ose të dytë të shkollës së mesme; të ketë moshën për të marrë vizë amerikane J-1 për studentët e shkollave të mesme; të ketë njohuri të mira akademike; të ketë njohuri të mira në gjuhën angleze (aplikantët duhet të demonstrojnë aftësitë e tyre në gjuhën angleze në momentin e regjistrimit; të ketë aftësi për të marrë vizë amerikane; të jetë shtetas shqiptar.
Autoritetet amerikane kanë përcaktuar edhe kandidatët që nuk kanë të drejtë të aplikojnë për këto bursa. Studentët nuk mund të pranohen si aplikantë nëse: nuk i plotësojnë kushtet e mësipërme; kanë qëndruar tre muaj ose më shumë në Shtetet e Bashkuara gjatë pesë viteve të fundit; familja e tyre: ka aplikuar ose po aplikon për të emigruar në Shtetet e Bashkuara; ka bërë plane të emigrojë ose ka emigruar në Shtetet e Bashkuara. Programi mbështet studentët me aftësi të kufizuara dhe inkurajon pjesëmarrjen e tyre. Këtyre studentëve u ofrohen trajnime mbi drejtimin si dhe u sigurohen informacione të përshtatshme për t’i mbështetur sipas nevojave në rritjen e tyre gjatë vitit që qëndrojnë në Amerikë.
Përzgjedhja
Panele të pavarura me profesionistë amerikanë në fushën e edukimit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare do të përzgjedhin finalistët dhe kandidatët alternativë. Përzgjedhja bazohet në bazë të meritës që do të dalë nga aplikimi tërësor, referencat nga mësuesit dhe gatishmërinë që do të demonstrohet për një eksperiencë shkëmbimi njëvjeçare. Gjithashtu, studentëve do t’u kërkohet të kenë vlerësimin mjekësor dhe të deklarohen si të aftë fizikisht për të marrë pjesë në program. Aftësitë në gjuhën angleze janë të rëndësishme, por jo element përzgjedhës. Menjëherë pas njoftimit se janë përzgjedhur si fitues, finalistët dhe prindërit e tyre do të marrin materiale orientuese për t’u përgatitur për nisjen. Fillimisht ata duhet të njoftojnë zyrtarisht American Councils që pranojnë bursën e studimit dhe t’i sigurojnë ndonjë dokument që mund të kërkohet. Studentët mund të fillojnë procesin e aplikimit për pasaportë ndërkombëtare dhe procesin e vizës menjëherë me miratimin e programit. Nga maji deri në gusht, American Councils dhe organizatat e tjera partnere do të lidhin finalistët me familjet e përzgjedhura pritëse dhe të bëjnë regjistrimin në shkollat e mesme lokale. Në qershor dhe korrik, përfituesit e bursave do të marrin pjesë në një program orientimi në vendet e tyre. Më pas, studentët do të udhëtojnë për tek familjet pritëse amerikane për të filluar eksperiencën e shkëmbimit në gusht. Studentët duhet të kthehen në vendet e tyre në përfundim të programit në datën e caktuar nga American Councils. Viza amerikane e lëshuar për pjesëmarrësit në program nuk mund të ndryshohet ose të shtyhet për asnjë arsye pas përfundimit të afatit të programit.
Programi
Programi i bursave “YES” mbështetet financiarisht nga qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe administrohet nga Zyra për Edukim dhe Çështjet Kulturore (ECA) të Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara. ECA mbështet mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera, me anë të programeve për edukim dhe trajnim, duke përkrahur lidhjet personale, profesionale dhe institucionale ndërmjet qytetarëve dhe organizatave në Shtetet e Bashkuara e kudo, si dhe të bëjë të njohur historinë, shoqërinë, artin dhe kulturën amerikane me të gjithë diversitetin e tyre te një audiencë e huaj. Programi mbështetet në nivel lokal nga qytetarët amerikanë dhe shkollat e mesme, të cilët në mënyrë vullnetare presin, edukojnë dhe mbështesin studentët pa asnjë detyrim financiar. Gjithashtu, programi “YES” mbështetet edhe nga disa organizata të tjera private jofitimprurëse në Shtetet e Bashkuara si World Link, PAX, and ASPECT. Qeveria e Shteteve të Bashkuara u ka kërkuar këtyre organizatave që të lidhin pjesëmarrësit me familjet pritëse amerikane dhe të organizojnë aktivitete gjatë programit njëvjeçar. Rekrutimi, përzgjedhja, orientimi, udhëzimet e udhëtimit dhe aktivitetet me ish-nxënësit organizohen nga American Councils for International Education, një organizatë jofitimprurëse që drejton zhvillimin dhe shkëmbimin e njohurive ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Europës Lindore, Euro-Azisë dhe Ballkanit. Misioni i organizatës është të ushqejë zhvillimet e pavarura dhe demokratike me edukim të përparuar dhe kërkim, duke kultivuar udhëheqje dhe fuqizimin e individëve dhe institucioneve nëpërmjet të mësuarit. Gjatë 30 viteve të kaluara American Councils është kthyer në një nga organizatat kryesore për edukim dhe trajnim që punon në rajon. Ajo administron mbi 30 programe shkëmbimi dhe trajnimi, duke përfshirë disa programe të qeverisë së Shteteve të Bashkuara për studentët e shkollave të mesme, studentët e universiteteve dhe të sapodiplomuar, mësuesit dhe profesorët.

Si mund të aplikohet

Përfaqësuesit e American Councils for International Education do të vizitojnë qytete të ndryshme për të prezantuar kriteret e aplikimit gjatë vjeshtës. Aplikantët duhet të dorëzojnë pranë qendrave të testimit dokumentet për pranim që janë certifikatë lindje dhe një fotografi 3x4 të kohëve të fundit në fillim të regjistrimit. Qendrat e testimit do të njoftohen sa më shpejt që të jetë e mundur nëpërmjet njoftimeve në shtypin e përditshëm, radio dhe i gjithë informacioni mund të gjendet nëpërmjet internetit tek www.americancouncils.org.yu ose ëëë.americancouncils.org . Aplikantët mund të marrin pjesë në testim vetëm në një qendër testimi. Të gjithë aplikantët do të kenë një test të shkurtër anglisht (raundi 1). Ata që kalojnë testin e parë do të kenë një test më të gjatë për aftësitë në anglisht dhe të shkruajnë një hartim në anglisht (raundi 2, i cili zakonisht zhvillohet një ditë pas raundit 1). Kandidatët mund të mbarojnë të dy raundet e para të konkurrimit përpara se të marrin materialet përfundimtare të aplikimit dhe përpara intervistës. Pas përfundimit me sukses të raundeve 1 dhe 2, gjuha angleze nuk konsiderohet më si kusht selektiv.

Çfarë siguron bursa e studimit
Bursa e studimit siguron:
Udhëtim ndërkombëtar vajtje–ardhje (nga vendbanimi në Shtetet e Bashkuara dhe kthim)
Ndihmë financiare mujore, që ndihmon nxënësit të marrin pjesë në aktivitete sociale dhe të blejnë mjete personale të nevojshme
Vendbanimin te një familje pritëse amerikane të zgjedhur, për një vit
Regjistrimin në një shkollë të mesme amerikane
Aktivitete orientuese të programit, duke përfshirë parapërgatitjet dhe hyrjen në program
Aktivitetet e programit të organizuara në komunitetet lokale amerikane
Mbështetje për ish-nxënësit për të zbatuar projekte në komunitetin ku jetojnë
Siguracion mjekësor
Çfarë nuk siguron
Bursa e studimit nuk mbulon:
Pajisjen me pasaportë ndërkombëtare
Shpenzime personale që nuk mbulohen nga paga mujore
Kostot për bagazhet mbi peshë
Telefonatat e bëra nga Amerika ose llogari për e-mail

Cilat janë disa nga disavantazhet e mundshme
Studentët që janë të interesuar për këtë program duhet të marrin parasysh edhe efektet negative që mund të ketë ky program:
Ju mund të mos ktheheni në kohë për të zhvilluar provimet përfundimtare tuajat
Ju mund t’ju duhet të përsërisni vitin shkollor
Megjithëse studentët marrin pjesë në një program akademik në Shtetet e Bashkuara, tekstet shkollore janë të ndryshme dhe ju mund të mos mësoni të njëjtin material si në vendi tuaj

8 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›