E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet, nis montimi i kamerave, me të cilat do të numërohen votat



Ka nisur dje procesi i instalimit të kamerave dhe ekraneve të mëdha në qendrat e numërimit të votave për procesin zgjedhor të 28 qershorit. Ky proces është monitoruar nga afër nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ka ndjekur dje nga afër instalimin e kamerave dhe monitorëve në Qendrën e Numërimit Nr. 46, që ndodhet në shkollën “Hasan Prishtina” në Tiranë. Kamerat dhe ekranet e mëdha do t’u japin mundësi vëzhguesve, por njëkohësisht dhe vetë Komisionit Qendror Zgjedhor ta ndjekë në kohë reale këtë proces si dhe të marrë në kohë reale rezultatet e numërimit. “Ka filluar montimi i teknologjisë për numërimin e votave. Si kjo palestër që do të shërbejë për vendnumërimin e votave, do të shërbejnë dhe 66 vende të tjera ku do të numërohen vota në të gjithë Shqipërinë”, - tha kreu i KQZ-së. Ristani bëri të ditur se në secilën qendër të numërimit të votave do të ketë nga 5 tavolina për numërimin e votave. Në secilën tavolinë do të instalohen kamerat që do të bëjnë monitorimin e votave. Sipas tij, do të instalohen ekranet televizive ku vëzhguesit do të kenë mundësi të ndjekin votë pas vote numërimin. Gjithashtu do të jetë instaluar dhe një kompjuter që mbledh pamjen qendrore nga kamera 360 gradë. “Kjo pamje do të hyjë on-line në KQZ dhe ne do të kemi mundësi t’i mbajmë në kontroll të 66 qendrat, në mënyrë që të sigurojmë transparencë maksimale dhe të marrim në kohë rezultatet nga 66 qendrat e numërimit të votave”, - tha Ristani. Sipas kreut të KQZ-së, nëpërmjet kësaj teknologjie vëzhguesit do të kenë mundësi të shikojnë nga afër si është votuar në fletën e votimit, si dhe do të jenë shumë afër me vëzhguesit, për të ndjekur çdo veprim të tyre. Ristani informoi se aktualisht janë montuar disa qendra numërimi në Tiranë, Elbasan, Librazhd dhe shpreson që një javë para ditës së zgjedhjeve të jetë e montuar teknologjia në të gjithë Shqipërinë dhe javën e fundit të mund të bëhet testimi për të qenë gjithçka gati në ditën e zgjedhjeve. Projekti ka vlerën e 1.5 milionë eurove.

8 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›