E Diel, 1 Nëntor 2026

Klosi: Deri në zgjedhje mund të kryhen vetëm 800 mijë aplikime nga 3.2 milionë zgjedhës

Nga Luljeta Progni

Partia Socialiste deklaron se deri në zgjedhje mund të realizohen vetëm 800 mijë aplikime për pajisje me karta identiteti, dhe në këtë mënyrë rithekson propozimin e saj që në pajisjen me karta identiteti të kenë prioritet qytetarët që aktualisht nuk kanë pasaporta. Sekretari socialist për Çështjet Ligjore, Kastriot Islami, tha dje se qëndrimi i PS është i qartë, dhe sipas tij kërkohet që të parët qytetarë që duhet të pajisen me karta identiteti, janë ata që s’kanë pasaporta, dhe më pas të vazhdojë puna për pajisjen e të gjithë qytetarëve me karta identiteti.

“Qëndrimi politik është i qartë: Të pajisen të gjithë qytetarët me karta identiteti dhe ky proces zhvillohet në bazë të kontratës për 5 vjet. Por ne kërkojmë që të pajisen në radhë të parë të gjithë ata që nuk kanë pasaportë, në mënyrë që zgjedhjet në Shqipëri të zhvillohen të lira dhe të ndershme, të paktën nga ky këndvështrim i kësaj infrastrukture”, - tha Islami.

Për të njëjtën çështje sekretari socialist, Blendi Klosi, tha dje në Kuvend se në skenarët më optimistë të zyrtarëve, në këto 160 ditë të ngelura deri në zgjedhje nuk mund të kryhen as teorikisht më shumë se 800 mijë aplikime nga rreth 3-3.2 milionë zgjedhës që ka sot regjistri kombëtar.

“Procesi i hartimit të regjistrit kombëtar të shtetasve dhe pajisjes me karta identiteti na dëshmon më së miri se qeverisemi nga një qeveri e paaftë dhe super e korruptuar. Paaftësia dhe makutëria shoqëruan këtë proces jetik për demokracinë shqiptare që në fillimet e tij. Paaftësia dhe dëshira për të kontrolluar gjithçka nga klani i kryeministrit bëri që ky proces të shtyhej pafund dhe të mbulohej nga mungesa e transparencës politike dhe teknike për mënyrën e realizimit. Sot, vetëm 160 ditë nga fundi i kësaj qeverie, të gjithë ndodhemi në limitin e dështimit të këtij procesi. Fillimi i procesit të shumëpritur dhe të stërvonuar nga qeveria rezultoi që ditën e parë me probleme.

Qeveria provoi që nuk është, atëherë kur duhet. Që në fazën e shpërndarjes së mandatarkëtimeve u pa qartë që barra i është lënë qytetarit”, - tha Klosi dje në Kuvend.

Ai ngriti dhe çështjen e privatësisë së të dhënave. “Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një ligj të veçantë për mbrojtjen e të dhënave personale të shtetasve duke krijuar me ligj dhe institucionin përkatës, por sot, kur shtetasit kanë filluar aplikimet me të dhënat e tyre biometrike, nga qeveria nuk kemi të ngritur inspektoratin përkatës që do t'i mbrojë këto të dhëna, kaq shumë të rëndësishme të shtetasve”, - tha Klosi.

“Qeveria pranoi se ende ka dublime në Regjistrin Kombëtar elektronik të shtetasve, në rendin e 100 000 rekordeve. Së pari, disa herë është thënë që “pastrimi” është përfunduar, premtimet fillestare për t'u përfunduar kanë qenë për në korrik 2008, pastaj u shtynë për në shtator 2008 dhe premtimi i fundit ka qenë për në dhjetor 2008”.

Debate Pollo-Islami në sallën e Kuvendit

Seanca e djeshme e Kuvendit solli dhe debate mes zv/kryeministrit, Genc Pollo, dhe deputetëve socialistë që ngritën shqetësimin e dokumenteve të identitetit. “Në mbledhjen e shkuar, deputeti socialist i Mallakastrës së Sipërme paraqiti një propozim të partisë së tij për një komision ad-hoc për të ndjekur shpërndarjen e letërnjoftimeve, çka u përsërit dhe sot dhe nga deputeti tjetër i Mallakastrës së Poshtme; Kjo tashmë është miratuar nga mazhoranca, pasi çdo masë që ngjall besimin te ky proces, çdo masë që përfshin në mënyrën e duhur edhe opozitën, duhet ndërmarrë”, - tha zv/kryeministri Pollo, duke iu referuar deputetëve Blendi Klosi dhe Kastriot Islami.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i këtij të fundit. “Zoti Pollo, mos u tallni me Mallakastrën, se nuk ka Mallakastër të Sipërme, nuk ka Mallakastër të Poshtme, ka vetëm një Mallakastër dhe, në qoftë se do të përmendni zona, ka vetëm zona elektorale, zona 71, 72, 73. Tregohuni herë tjetër i guximshëm, sepse unë, po të përgjigjesha me të njëjtën mënyrë, do të thoja që Sali Berisha me pjesën e tij të sipërme u përgjigj pro propozimit tonë, kurse ju sot me pjesën e poshtme të Sali Berishës u përgjigjët kundër propozimit tonë”, - tha Islami.

Ministri i Brendshëm, Nishani flet për radion Deutsche Welle: Koha është e mjaftueshme

Me këtë ritëm që po ecet, ju besoni se përfundon procesi brenda rreth 5 muajve sa kanë mbetur deri në zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare?

Shikoni, nëse në këtë stad fillestar ne kemi realizuar në Tiranë deri në 1500 aplikime në një ditë, shumë shpejt ritmi do të kapë kuotat 3 mijë për çdo ditë, çfarë është garanci, se koha për t`i pajisur të gjithë shtetasit 18 vjeç e lart me kartat e reja të identifikimit, që janë më standardet evropiane, është tërësisht e mjaftë. Jemi të përgatitur dhe i kemi të gjitha kapacitetet për ta finalizuar në kohë procesin. Po kështu, dhe kompania koncesionare që i prodhon dhe shpërndan kartat, i ka kapacitetet që t`i përgjigjet të gjithë fluksit të mundshëm.

A janë rreth 100 mijë emra të dubluar në regjistrin kombëtar të gjendjes civile?

Po e sqaroj se ne kemi për herë të parë një regjistër elektronik të shtetasve shqiptarë. Ky regjistër së pari është i pa-manipulueshëm, së dyti, çdo lëvizje që bëhet brenda regjistrit është plotësisht e verifikueshme, se lë gjurmë. Sa i takon çështjes së publikimeve, është e vërtetë që ato ekzistojnë dhe variojnë diku te 50 mijë shtetas dhe jo aq sa pretendon opozita. Për këto dublime, pra kur emri i qytetarit është prezent në regjistër më shumë se njëherë, janë të konstatuara, sepse, siç thashë, kemi variant elektronik që i shfaq automatikisht. Por mos harroni që çdo shtetas do të ketë vetëm një numër identifikimi në regjistër dhe dublimet janë të evidentuara. Ka filluar puna për pastrimin e tyre. Brenda tri javësh nuk do të ketë asnjë rast të tillë, pasi ato nuk pranohen nga një sistem i dixhitalizuar. Ato kështu do të eliminohen dhe nga listat e votuesve që do të publikohen sipas ligjit, para zhvillimit të zgjedhjeve. E them me bindje, se këto lista do të jenë më të mirat dhe më të saktat që kemi pasur deri më tani në proceset zgjedhore e referendare në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›