E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsyet e “padukshme” të luftës në Gaza

Nga Olsi Baze

Tashmë që ofensiva e Izraelit në Gaza përfundoi, do të dalin në pah pasojat politike dhe tragjeditë njerëzore që Lindja e Mesme përjetoi edhe një herë tjetër, siç është mësuar t’i përjetojë ajo që në kohët kur njerëzit filluan të banojnë në atë zonë të globit dhe luftërat nuk reshtën kurrë. Çdo konflikt e ka një zanafillë, ka një arsye, ka një frakturë që paguhet nga të dy palët, të cilat mbartin përgjegjësitë. Lufta e ka një zanafillë dhe ka një histori underground, të cilën mediet nuk e pasqyruan.

Akti i parë underground që paralajmëronte luftën e ardhshme në Lindjen e Mesme, ishte dorëheqja e gjeneralit Muhammad Dahabi, shef i shërbimeve sekrete jordaneze i ngarkuar nga mbreti jordanez, Abdellah, të kryente bisedime klandestine me Muhammad Nazzal, anëtar i Byrosë Politike të Hamasit, të bazuar në Jordani që prej një vitit 1999. Gjenerali i shërbimeve sekrete jordaneze, që kishte arritur të vendoste rregull pas atentateve të tre viteve më parë në Aman, dështoi në misionin që të bindte Hamasin të firmoste një marrëveshje të re armëpushimi me Izraelin. Si rrjedhojë, një nga specialistët më të mirë të spiunazhit në Lindjen e Mesme u largua nga detyra e tij, për shkak të këtij dështimi, gjë që tregon sesa të rëndësishme ishin këto bisedime.

Të nesërmen e dorëheqjes së Dahabit, krahu i armatosur i Hamasit, brigadat Ezzedine Al-Qassam, nuk rinovoi trevën që kishin lidhur me Izraelin prej një viti, për shkak se një sulm izraelit kishte shkaktuar më datë 4 nëntor vdekjen e 6 aktivistëve të tij. Hamasi kundërpërgjigjet dhe godet me raketa Izraelin. Në mënyre indirekte me këtë akt Hamasi përfshihej në fushatën elektorale që kishte nisur në shtetin hebre, duke u vendosur si faktor ndikues në to. Qeveria izraelite preferoi të ri-forconte embargon në Gaza, si pasojë e këtyre sulmeve dhe të përfitonte nga kjo situatë në skenën ndërkombëtare duke e paraqitur veten si një viktimë dhe duke predikuar të drejtën për të replikonte, ndërkohë që sulmet e Hamasit kishin si qëllim të tërhiqnin vëmendjen e opinionit ndërkombëtar pa menduar dhe besuar se Izraeli do të niste një ofensivë pas dështimit të fushatës së Libanit një vit më parë. Pra, llogaritë ishin të gabuara.

Data, ora, dita, në të cilën Tsahal filloi sulmin pikërisht një ditë të shtunë, ditë Shabati, që në kulturën hebraike është ditë pushimi dhe e shenjtë. Kështu nisi një luftë surprizë që kishte si synim që në tri javë të përfundonte ofensivën disa ditë para inaugurimit të presidentit të ri amerikan duke mos e vënë atë në pozitë të vështirë që ditët e para të Presidencës.

Arsyet e vërteta të konfliktit, përtej sulmit të disa raketave në territorin izraelit duhen kërkuar në dinamikën e brendshme politike të çdo pale në konflikt. Në Izrael ka filluar para 3 javësh fushata elektorale për zgjedhjet e parakohshme, të cilat, sipas të gjitha gjasave para shpërthimit të konfliktit, do të fitoheshin nga Likoud, parti e djathtë, e cila ka milituar gjithmonë kundër marrëveshjes së paqes duke u pozicionuar si partizane e linjës së ashpër ndaj lëvizjeve Hamas dhe Hezbollah. Në kulmin e fushatës elektorale kreu i opozitës izraelite, Benjamin Netaniyahu, favorit për të fituar zgjedhjet, zgjodhi si argument fushate sigurinë e territorit të shtetit hebre si temë kryesore për javët e fundit të fushatës, një argument, i cili e ka sjellë dy herë në pushtet. Nëse do të vërejmë me kujdes kronikën e ngjarjeve pas këtij momenti, do të vërejmë që personi që deklaroi luftën që po afronte, nuk ishte kryeministri në ikje izraelit, siç e kërkon rasti në fjalë, por ministrja e Jashtme, e cila është njëkohësisht kryetarja e Kadimes, parti e cila aktualisht ndodhet e treta në sondazhe duke pësuar kështu edhe një fund të rinovimit politik pas largimit nga skena politike të Ariel Sharon dhe gjeneralëve legjendarë izraelitë që kishin drejtuar për dekada me radhë shtetin e Izraelit. Pas dorëheqjes së kryeministrit aktual, i akuzuar në një skandal financiar, pasardhësja e tij në partinë Kadima, e themeluar nga Ariel Sharon në 2001, Tzipi Livni nuk mundi të zëvendësonte Olmert për shkak të mosarritjes së marrëveshjes së koalicionit me partinë ultra-nacionaliste SHAS. Ky është kuadri në të cilin mbahen zgjedhjet parlamentare.

Në anën tjetër, në rripin e Gazës, pas një qeverisjeje trevjeçare, Hamasi, organizatë e krijuar nga sfera influente të vëllazërisë myslimane në Egjipt, ndodhet në një situatë kritike. Mbështetja popullore që gëzonte pas ardhjes në pushtet ka rënë në mënyrë drastike pas embargos së ashpër të imponuar nga autoritetet izraelite dhe egjiptiane, me të cilën kanë të vetmin pikëkalimi për të furnizuar me mjetet e jetës së përditshme. Konflikti i brendshëm midis Hamasit dhe Fatah të presidentit Mahmoud Abaz, që qeveris në pjesën tjetër të territorit të autoritetit palestinez po bën që vetë Fatah është e interesuar në një destabilizim të Hamasit, situatë nga e cila do të përfitonte për të rivendosur autoritetin e saj të humbur disa vite më parë. Në horizontin palestinez shfaqet gjithnjë e më shumë parametri i një lufte civile midis dy fraksioneve të moderuarve dhe ekstremistëve. Fundi i luftës do të sjellë sigurisht një realitet të ri, dobësimin tej mase të Hamasit. Nga kjo situatë do të përfitojnë në ditët e ardhshme forcat ushtarake të Fatah për të shtrirë autoritetin policor në Gaza dhe larë hesapet me njerëzit që i dëbuan nga ky territor në mënyrë të dhunshme. Izraeli ka ndezur nëpërmjet kësaj lufte thëngjijtë e një luftë tjetër të ardhshme brenda fraksioneve palestineze. Ndërkohë, rripi i tokës më i populluar në botë, Gaza, i ngjan një getoje, e cila, për shkak të urisë dhe skamjes, ka shpërthyer disa herë, ashtu siç shpërtheu Geto e Varshavës për të mbijetuar. Situata dëshpëruese e popullatës përdoret politikisht nga Hamasi, i cili ka forcuar linjën e tij ideologjike dhe akuzuar Fatah dhe Izraelin si shkaktarë të krizës, në mënyrë që të mbledhë popullatën rreth vetes.

Shteti izraelit me ofensivën e fundit i drejtoi një mesazh të qartë Hamasit se ai nuk mund të interferojë në çështjet e brendshme të shtetit hebre, aq më tepër në një proces elektoral që do të ndikonte në opinion e zgjedhëseve, siç ndodhi në Spanjë, kur atentatet terroriste ndryshuan votën e njerëzve duke përmbysur një avantazh prej 10-pikësh të së djathtës ndaj socialistëve.

Përtej objektivave të politikës së brendshme objektivi madhor ushtarak i Tel Avivit është të sigurojë jugun e territorit të tij duke krijuar një rrip të mjaftueshëm sigurie, nga ku raketat palestineze nuk do të mund të prekin qytetet e jugut. Në këtë kuadër opsioni për pushtimin e rripit të Gazës do të ishte jo-realist dhe i kushtueshëm për shtetin hebre. Goditja e ashpër ushtarake ndaj Hamasit do të bëjë që ky i fundit të ndjejë dhe kuptojë përfundimisht se një luftë ndaj Izraelit do t’i kushtonte shumë, jo vetëm ushtarakisht, por edhe politikisht dhe se dështimi i luftës në Liban nuk do të përkthehej automatikisht me një dështim tjetër ushtarak në Gaza.

Për sa i përket rajonit, lufta nxori në pah rëndësinë dhe rivalitetin e valsit diplomatik që u zhvillua midis Egjiptit, Jordanisë dhe Turqisë për të siguruar rolin e një aktori rajonal të padiskutueshëm në procesin e paqes, ndërkohë që Bashkimi Evropian, me gjithë vullnetin për t’u imponuar si aktor dhe ndërmjetës paqeje është i pafuqishëm të ndikojë në zgjidhjen e një krize ndërkombëtare. Ajo që mund të përmbledhë llogarinë rajonale të konfliktit do të ishte një Egjipt shumë i rëndësishëm dhe një Turqi humbëse në marrëdhëniet që kishte me vendin hebre sidomos në kooperimin ushtarak. Në skenën ndërkombëtare, Izraeli, duke përfituar nga fundi i mandatit presidencial amerikan dhe hapësirës boshe që ka lënë Departamenti amerikan i Shtetit në këto dy muajt e fundit në skenën ndërkombëtare, Tel Avivi zgjodhi këtë moment për sulm. Për Tzipi Livinin ky ishte momenti i favorshëm që argumenteve të kundërshtarit të saj t’i përgjigjej me monedhën më të mirë, sulmin, duke dashur të provokojë në këtë mënyrë një ndryshim në opinionin e brendshëm dhe të afirmohej edhe në skenën ndërkombëtare.

Përtej këtij elementi që bën të kuptosh luftën e fundit në Lindjen e Mesme është e domosdoshme që të analizohet edhe një faktor tjetër që ndikon në rajon, Hamasi. Po të analizosh gjeostrategjinë e Lindjes së mesme, vëren se Hamasi ka ndikuar gjithnjë gjatë zgjedhjeve elektorale izraelite që në vitin 1993. Në 1995, kur ndërmori një sërë atentatesh vetëvrasëse në Izrael, Hamasi bëri që Shimon Perez, pasuesi i Rabin, të humbiste zgjedhjet në favor të Likoud. I njëjti skenar u përsërit në 1998 dhe 2001, kur Hamasi ndikoi të vinin në pushtet partitë e djathta duke dëmtuar kështu edhe procesin e paqes, i cili ishte fare pranë një marrëveshjeje përfundimtare, sidomos në 1995 dhe në 2000 gjatë bisedimeve të kamp David. Vala e atentateve terroriste bënë që rrjedha e historisë të ndryshonte, për ekzistencën politike të Hamasit është e domosdoshme së pari që përballë të ketë një forcë që përdor të njëjtën gjuhë të dhunës, sepse në këtë mënyrë ai do të sigurojë legjitimitetin ndaj një autoriteti palestinez, i cili kishte legjitimitetin absolut jo vetëm në Palestinë por edhe në arenën ndërkombëtare. Nuk është kurrë e lehtë që të analizosh konfliktin në Lindjen e Mesme, sepse për të pasur një analizë objektive duhen marrë parasysh shumë aspekte të këtij konflikti. Lufta e fundit në Lindjen e Mesme nxjerr në pah se dy aktorët kryesorë të luftës për arsye të brendshme politike dhe mbijetese janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe jetë njerëzore madje edhe popullatën e tyre, e cila e sheh çdo ditë e më shumë ëndrrën e një paqeje të afërt të largohet gjithnjë e më shumë duke bërë që gjeneratat e reja të shohin vetveten më shumë si armiq potencialë sesa miq. Lufta e fundit në Lindjen e Mesme në të vërtetë nuk zgjidhi përfundimisht problemin e sigurisë së Izraelit, por veçse solli një ndëshkim dhe demonstrim force të paprecedent të ushtrisë izraelite ndaj një territori, i cili prej tashmë tre vitesh ishte kthyer në një territor që rëndom etiketohej si Hamasland, ku popullata jeton e rrethuar nga një gardh i madh i dyfishtë, ai psikologjik dhe shpirtëror i imponuar nga Hamasi dhe ai fizik dhe hapësinor, i imponuar nga shteti izraelit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›