Vehbi Alimuça i shkruan Rezart Taçit
Antena brenda familjes
I dashur Rezart.
Po ndjek me vëmendje këtej nga burgu gjithë ngjitjen tënde të shpejtë. Më ke kthyer rininë dhe më ke bërë të ndihem i ri si dikur, kur bëja plane të mëdha si ty. I kam parë me kujdes veprimet e tua dhe më ke mahnitur. Kisha kohë që kisha humbur besimin se në Shqipëri do dilnin sërish biznesmenë të zotë që të më arrinin mua. Ti më arrite dhe më kalove. Dhe u tregove i fortë, se unë iu mora lekë njerëzve të gënjeja bankat, ti u merr lekë bankave të gënjesh njerëzit. Manovra jote për ta blerë pa lekë gjithë naftën shqiptare, më la pa mendje. Po të më vinin mua ta bëja këtë gjë, do mblidhja lekë nga njerëzit dhe do t’i gënjeja. Ti e bëre më mirë. Ti ua merr lekët njerëzve përmes qeverisë duke ngritur taksa dhe nuk ua di për nder. Këtu s’më kishte shkuar mendja. U tregove më i zoti nga ne të gjithë. Nuk di si ia zure kokën me derë atij burrit. Unë çfarë s’bëra ta kapja, por më ikte. Lekët m’i merrte, por derën s’ma hapte kurrë. Mezi i bëra njëherë një foto duke më dhënë dorën dhe me atë e shtyva. Ti ke bërë gjithë ato foto. E di që të kanë kushtuar, por i ke bërë. Dhe unë isha gati të paguaja, por meazallah se e kapja dot. Ti u tregove i zoti. Një foto 2 milionë e gjysmë dollarë të shkoi, po e bëre. I hyre në zyrë me Milanin. As kjo s’më kishte shkuar në mendje. Më thoshin bli ndonjë klub nga këta tanët, por te Milani s’më shkoi mendja. Mora njëherë një grup andej nga Brazili që këndonin atë këngën “Ja ja kuku zhambo”. I duhej për fushatë atij burrit. Më kushtoi goxha, nja 600 mijë dollarë, por s’bëra që s’bëra dot foto. Ti u tregove i zoti. Lekë jepja dhe unë. Siç i jep ti gjithë medias dhe unë të gjithëve u jepja. Atëherë ishin më pak dhe i rregulloje më lehtë. Ti e ke të vështirë, se janë bërë shumë dhe ka ndonjë kokëfortë që s’i merr. Po kot e ke, se për lekë të duan. Po të rrëshqiti këmba, të gjithë kanë për të të sharë si mashtrues dhe do bëjnë sikur s’kanë marrë asnjë lek nga ty. Po e provoj vetë unë këtu në burg. Kur i shoh në televizor gjithë ata gazetarë që vinin merrnin lekë me radhë tek unë, tani s’kujtohet njeri fare që jam gjallë. Madje tallen me mua. Dhe me ty do tallen, po të shkau këmba.
Atë burrin mos e lësho, se nuk kapet kollaj. Më thanë që ke punuar mirë me gruan dhe vajzën dhe ia ke kopsit ca punë. Ashtu duhej bërë, por mua më thoshin që janë familje e ndershme e s’pranojnë pará. Nuk e dija atë llafin që, kush nuk blihet me pará, blihet me shumë pará. E hëngra kot.
Po kjo që bëre me “Sheraton”-in në fund më pëlqeu shumë. Dhe mua më patën mbushur mendjen atëherë të bëja ca gjëra të tilla, por me hotele të vogla. Ma mbushën mendjen për një hotel në Rumani dhe dy të vegjël në Holandë. Ata ia lashë mbesës, është njëra që ka një dhëndër që është bërë i madh tani, ministër i Punëve të Jashtme. Atë kohë s’e njihja. I morën ato hotelet, s’di ç’bënë me to, po gjëra të vogla ishin. Se dhe unë si ty e bëja. Më kanë thënë që ke futur në bord të ARMO-s nënën, babanë, vëllanë, hallën…. Mirë ke bërë. Dhe unë mbesën kisha, vjehrrën e këtij ministrit të Jashtëm që e kanë paditur për rrugën e Kalimashit. I kam thënë mbesës, po më gjeti mua në burg, e mbaj mirë. Po s’më gjeti, të bëjë si të bëjë vetë. Dhe unë, kur isha në fund, desha të bëj një manovër të tillë. Hapa fjalë që do blija Formula Uno-n. Më thanë që është lojë e famshme. Epo ta blej thashë. Vajta në Itali në Imola, dhe thashë ta blija. Kiamet i madh ishte, se më thanë nuk shitej. Thashë të bëja një pistë në Shqipëri e të shëtisnin njerëzit me makina me VEFA. Po s’ma lanë. Me zor më lejuan të vë dhe një reklamë aty dhe më morën qimet e kokës për të. Por ama në Shqipëri bëri shumë bujë. E pritën mirë shumë njerëzit. U shtuan lekët. I nxora trefish ato lekë që harxhova. Është i madh Vehbiu, thoshin, ka lekë, se ka blerë Formula Uno-n. Dhe ti e ke bërë mirë me këtë llafin që ke hapur për “Sheraton”-in. E ke djallosur që ke thënë 7 yje, se s’ka Sheraton me 7 yje, por s’ka gjë, se në Shqipëri vetë i vendosin yjet, sikur ua vë njeri.
Dhe një gjë tjetër kisha më në fund. Po e pe që s’bëhet gjë as me “Sheraton”-in, që ta përdorësh të marrësh ndonjë kredi të madhe, të mbyllësh këto borxhet e vogla, lëre dhe ik gjëkundi, se po të kapën, të rrasin në burg e s’del më që këtu. Nuk është se janë të këqij këta gardianët, por burg është. Dhe sikur të vijë ai dhëndri im brenda, prapë nuk shtyhet, edhe pse është i këndshëm, siç më kanë thënë. Burgu burg ngelet, le të bësh qejf sa të duash.
Po e mbyll këtë letër duke të porositur të bësh kujdes dhe të ruash kokën, se po nuk e deshe veten, nuk të do njeri. Të duan tani, sa ke ca pará në xhep, pastaj të harrojnë këtu brenda.
I yti Vehbiu.