Inercia përballë ndryshimit
Një greko-amerikan më tregoi një herë një anekdotë që përshkruan në mënyrë perfekte dallimin mes SHBA dhe Greqisë. Kur ishte fëmijë, ai shikonte që merrnin ujë me kova në pus për muaj me radhë. Rubineti në çezmën e fshatit ishte thyer, por askush nuk merrte iniciativën për ta rregulluar. Disa prisnin ta rregullonte kryetari komunës, të tjerë mendonin se kjo ishte detyrë e qeverisë qendrore, ndërsa disa të tjerë e shihnin këtë si vullnet të Zotit. “Ndërsa Amerika, - tha ai, - është një vend që bën gabime të mëdha, zhytet në boshllëk, por më në fund gjen forcë dhe përpiqet të ndryshojë drejtim.”
Presidenti amerikan Obama dje (pardje), foli para një shoqërie që e ka kuptuar se është përplasur me shkëmbin, një shoqëri që shikoi mes më të shkëlqyerve në universitete, botën e biznesit dhe rrethet e saj politike për të gjetur liderin e ri.
Ajo që është interesante është se Obama nuk u mbështet te fuqia e retorikës së tij, as para se të zgjidhej. Ai vështroi rrotull dhe zgjodhi për bashkëpunëtorë jo shokët e tij apo të preferuarit e partisë. Ai përzgjodhi një staf të kualifikuar, disa prej të cilëve janë këshilltarët e tij personalë ose politikë, të rinj me dëshirë për punë të rëndë dhe ndjenjë përgjegjësie. Disa e akuzojnë Obamën se është mbështetur shumë te trashëgimia e Bill Klintonit, duke argumentuar se ai nuk do të ofrojë ndryshimin e premtuar. Por reformat dhe ndryshimet që nuk bazohen te përvoja, prova dhe gabimet e të tjerëve janë të prirura për dështim. Obama ka përballë një situatë tejet të vështirë, në ekonomi dhe në frontin ndërkombëtar. Gjithashtu ai ka përballë edhe armikun më të madh të të gjithë politikanëve: pritshmërinë e madhe të të gjithë botës. Suksesi apo dështimi i tij varet nga shumë faktorë dhe një dozë e konsiderueshme fati. Por askush nuk mund ta akuzojë se nuk zgjodhi njerëzit e duhur, se nuk i tha popullit të tij të vërtetën dhe që ai ka një plan.
Më thjeshtë, populli amerikan vërejti terrenin e rrëshqitshëm, ashtu siç ishte dhe provoi të ndryshonte drejtim. Këtu, ne vazhdojmë ende të këqyrim rubinetin e thyer, duke konsumuar depresion dhe inerci.