Klubi Politik i Studentëve shpall konkurs për ministër të Arsimit

Klubi Politik i Studentëve ka goditur ministrin e Arsimit, Ramë Bujën. Përmes një aksioni, studentët aktivistë të këtij klubi kanë shpallur të lirë vendin e punës së ministrit të Arsimit. Ata kanë shpërndarë afishe ku e shpallin Bujën të paaftë për të qenë ministër. Kjo sipas tyre, për shkak se ministri aktual Ramë Buja ka dështuar që të udhëheqë me universitetin publik.
Ata kanë denoncuar një lidhje të afërt të ministrit me kolegjin AAB dhe është quajtur konflikt etik. Ata kanë përmendur se Buja paguhet prej këtij kolegji, librin ia ka financuar ky kolegj si dhe djali i tij ka vijuar mësimet aty.
Sipas Klubit Politik, në kohën kur gjendja e arsimit publik është e degraduar ky ministër nuk duhej të kishte kohë të punonte e t’i forconte kolegjet private që sipas tyre janë vetëm në funksion të parasë.
Vend i lirë pune për Ministër të ri të Arsimit
Kërkohet një njeri që ka vullnet të punojë për atë që është e të gjithëve, që nuk e përjashton askënd, për publiken, për universitetin.
Vendi shpallet i lirë, pasi ministri që e ka këtë detyrë, ka dështuar. Ai nuk punon për këtë universitet.
• Ministri Ramë Buja nuk e ka prioritet UP-në.
• Ramë Buja punon për biznesin në radhë të parë.
• Në AAB Ramë Buja merr 1 mijë 260 pagë.
• Ky kolegj ia ka financuar Ramë Bujës librin.
• Ky kolegj ia ka shkolluar Ramë Bujës djalin.
• Ky kolegj duhet të akreditohet pranë Ministrisë së Arsimit.
• Ramë Buja ka thënë se “kolegjet janë më serioze së UP-ja”
• Ramë Buja e ka dërguar djalin për studime në Greqi me bursë të MASHT-it
Derisa UP-ja është degraduar e ka nevoja emergjente, ky ish-ministër e ky sistem humbin kohë në fuqizimin e kolegjeve që kanë për qëllim biznesit. Janë në funksion të parasë.
Ai që e fiton këtë vend pune, duhet ta vejë paranë në funksion të këtij universiteti publik, dhe jo universitetin në funksion të parasë e përfitimeve private./Indeksonline/