E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klubi i Gazetarëve të Shëndetësisë firmos bashkëpunimin me MASH

Klubi i Gazetarëve të Shëndetësisë firmosi Memorandumin e Bashkëpunimit me Ministrinë e Arsimit, për të bashkëpunuar në fushën e edukimit shëndetësor në shkolla. Dokumenti u nënshkrua nga zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj, dhe kryetari i Bordit të KGSH-së, Albert Gjoka. “Qëllimi i memorandumit ka të bëjë me rritjen e informacionit për edukimin shëndetësor në sistemin arsimor në vend, duke përfshirë të gjitha nivelet e arsimit dhe të gjithë faktorët e përfshirë në proces: nxënës-mësues-prindër”, - thuhet në marrëveshjen e nënshkruar. Memorandumi synon shtimin e komunikimit mes dy palëve, organizimin e aktiviteteve të përbashkëta promovuese për edukimin shëndetësor, trajnimin e gazetarëve dhe përmirësimin e standardeve të informimit për shëndetin për moshat shkollore. Në këtë kuadër, zv/ministrja Malaj theksoi rëndësinë që Ministria e Arsimit po i kushton edukimit shëndetësor në shkolla. Ajo vuri theksin në promovimin e fushatave ndërgjegjësuese në drejtim të luftës dhe parandalimit të sëmundjeve të HIV/AIDS, drogës, alkoolit, duhanit etj. “Edukata shëndetësore dhe ajo seksuale, përfshirja e praktikave për një ushqim të shëndetshëm, parandalimi i shtatzanive të padëshiruara, futja e metodologjive për një të menduar të shëndetshëm apo rishikimi i kurrikulave me elementë bashkëkohorë drejt një shëndeti sa më të mirë, janë ndër prioritetet e punës sonë”, - pohoi zonja Malaj. Memorandumi i firmosur dje është e para marrëveshje institucionale e Klubit, që bën me një institucion të tillë dhe është e hapur për të vendosur bashkëpunime me institucione, organizata dhe shoqata që veprojnë në fushën e shëndetit publik, me synimin për përmirësimin e standardeve të raportimit dhe rritjes së komunikimit për një shoqëri të shëndetshme. Klubi i Gazetarëve të Shëndetësisë është krijuar më datë 25 shkurt 2011 dhe ka në përbërje të tij rreth 25 gazetarë, redaktorë dhe drejtues të mediave vizive dhe të shkruara.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›