E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amfiteatri i Durrësit në rrezik, shenjohet me pullë të kuqe

SHKRUAN: Aida Tuci 25-03-2011 12:06

Një platformë e re në internet ka marrë përsipër të shpëtojë disa nga site-t e trashëgimisë kulturore më të rëndësishme në botë, që konsiderohen se janë në rrezik. Me iniciativë të Fondit Global të Trashëgimisë, një organizatë jofitimprurëse me qendër në Kaliforni, është ngritur rrjeti i quajtur “Rrjeti Global i Trashëgimisë” (GHN), ku përveç paralajmërimit dhe monitorimit të site-ve arkeologjike që janë listuar si të rrezikuara nga UNESCO, merr përsipër të sigurojë burime financiare, por dhe ekspertizë të specializuar, për ato site arkeologjike që janë të rrezikuara, sidomos në vendet në zhvillim. E një prej këtyre vendeve është edhe Shqipëria. Ato janë: Amfiteatri i Durrësit, Qendra historike e Beratit dhe Gjirokastrës dhe Butrinti, ndërkohë që në projekt është përfshirë edhe Qendra Historike e Prizrenit. Kombinuar me Google Earth dhe me një hartë shkencore nga ESRI, me një klikim të thjeshtë publikut i ofrohen imazhe nga Digital Globe të vendeve arkeologjike të rrezikuara, jepet dhe një informacion i hollësishëm mbi rëndësinë e ruajtjes se këtyre site-ve arkeologjike. Në këtë projekt janë përfshirë edhe disa site arkeologjike nga Shqipëria, që konsiderohen si të rrezikuara e që kanë nevojë për burime financiare dhe ekspertizë të specializuar për t’i shpëtuar nga rrënimi. Platforma synon të shërbejë si një sistem paralajmërimi për arkeologët, komunitetet lokale, zyrtarët dhe qeveritarët, si dhe për vullnetarët që duan të kontribuojnë. “Shkatërrimi i trashëgimisë sonë globalë është në krizë dhe ky shkatërrim ndodh më së shumti ashtu si pa ndjerë, sidomos në vendet në zhvillim. Ky sistem kombinuar dhe Google Earth raporton mbi site-t arkeologjike në mbarë globin dhe tregon qartë humbjet e pabesueshme me të cilat përballemi jo vetëm në këto 10 vitet e fundit” - shprehet për “Discovery News”, Jeff Morgan, drejtor ekzekutiv i Fondit Global për Trashëgiminë. Baza e të dhënave të GHN-së ka një “koleksion” prej 500 vendeve të trashëgimisë kulturore në mbarë botën. Çdo vend identifikohet sipas ngjyrës për shkallën e rrezikut. Ngjyra e zezë tregon site arkeologjike të shkatërruara, ngjyra e kuqe tregon se është në prag të shkatërrimit dhe që nevojitet ndërhyrje urgjente, ngjyra e verdhë tregon që është në rrezik, ndërsa ngjyra jeshile që është në gjende të stabilizuar. Sipas këtyre simboleve treguese, Amfiteatri i Durrësit rezulton me “pullë të kuqe”, që do të thotë se nevojitet një ndërhyrje urgjente dhe se rrezikon shkatërrimin. Berati dhe Gjirokastra janë të shenjuara me pullën e verdhë, ashtu si dhe Butrinti. Ndërsa në krah të Qendrës Historikë të Prizrenit është shenjuar pulla e kuqe e rrezikut.

Mbrojtja e vendeve historike nga kthetrat e ndryshimit të klimës

Në përgjithësi, më shumë se 200 vende janë konsideruar të jenë nën kërcënimin e shkatërrimit për shkak të zhvillimit të pakontrolluar të turizmit, nga menaxhimi i pamjaftueshëm i këtyre siteve arkeologjike, grabitjet, dhe lufta e konflikti në vendet ku ndodhen ato. "Mbi 80 vende janë identifikuar se kanë nevojë të ndërhyhet, në mënyrë që të shpëtojmë një pjesë shumë të rëndësishme të trashëgimisë sonë botërore”, tha Morgan. Ndër faqet e rrezikuara seriozisht janë: qyteti i lashtë i Ninivës në Irakun e Veriut, qyteti Allianoi në Turqi, amfiteatri i Durrësit në Shqipëri, që konsiderohet si amfiteatri më i madh romak në gjithë Ballkanin, me një kapacitet prej 20 000 njerëzish.

Më pullë të kuqe janë shënjuar gjithashtu kompleksi arkeologjik në Pachacamac në Peru, ku arkeologët kanë identifikuar të paktën 17 piramida (shumë prej tyre kanë dëmtime të parikuperueshme për shkak të fenomenit të motit, të njohur me emërtimin El Niño); tempulli i lashtë Khmer në Kamboxhia etj. Nga të dhënat që nxjerr GHN për 500 vendet e listuara, del në konkluzionin se, nëse do të vlerësohet siç duhet trashëgimia globale, këto koleksione arkeologjike mund të gjenerojnë mbi 100 miliardë dollarë të ardhura në vit, nga turizmi, me hapjen e vendeve të reja pune, si dhe krijon mundësi investimi nga biznese të ndryshme.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›