E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH nxjerr kriteret e vlerësimit

SHKRUAN: Jonida Tashi 25-03-2011 12:15

Ministri i Arsimit miraton standardet shtetërore të cilësisë në institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat, që do të përdoren për vlerësimin dhe akreditimin e universiteteve. Për këtë proces, së fundi, kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, ka firmosur katër urdhrat përkatës për miratimin e standardeve shtetërore të vlerësimit të cilësisë në institucionet e arsimit të lartë, për programet e studimit të ciklit të parë, të ciklit të dytë dhe të tretë. Sipas dokumentit të miratuar nga MASH, standardet shtetërore të cilësisë janë hartuar në bazë dhe për zbatim të nenit 61, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar dhe në mbështetje të udhëzimeve të sigurimit të cilësisë në hapësirën eropiane të arsimit të lartë. “Ato ndihmojnë institucionet e arsimit të lartë të vlerësojnë procedurat, rezultatet dhe potencialet e tyre. Ndarja në tre kapituj orienton institucionet e arsimit të lartë për përmbushjen e detyrave themelore (programet e studimeve, politika shkencore, menaxhimi i institucionit) dhe i ndihmon ato në vlerësimin e sigurimit të brendshëm të cilësisë nga një këndvështrim strategjik. Nëpërmjet këtyre standardeve sa normative aq edhe të mundshme për t’u zbatuar, institucioneve u mundësohet gjithë liria për t’u shprehur”, - thuhet në dokumentin për standardet shtetërore të cilësisë. Nga ana tjetër, MASH kërkon që universitetet ta pranojnë këtë paketë standardesh, e cila është e bazuar në logjikën e funksionimit të tyre. Sipas MASH-it, me një vlerësim të kryer siç duhet, institucioni do të ketë një vizion të përgjithshëm të funksionimit të tij dhe autonomi më të madhe në politikën e menaxhimit. “Logjika mbi bazën e së cilës janë hartuar standardet shtetërore të cilësisë dikton që ato të shpërndahen në të gjitha njësitë përbërëse të institucioneve të arsimit të lartë, me qëllim që në procesin e vetëvlerësimit të përfshihen jo vetëm organet dhe autoritetet drejtuese të tyre. Kjo është edhe mundësi për të krijuar një rrymë dinamike që do të shtrojë para tyre nevojën e njohjes së praktikave kolektive të suksesshme dhe përdorimit të instrumenteve dhe metodave të vlerësimit të qëndrueshëm”, - përcaktohet më tej në dokument. Kështu, institucioni do të përdorë procesin e vetëvlerësimit për qëllimet e veta, si një mjet të vërtetë të matjes dhe progresit, për të treguar imazhin që do ta bëjë të dallohet midis institucioneve të tjera. Për më tepër, raporti i vlerësimit të brendshëm që do të ketë hartuar do t’i mundësojë Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL) të vlerësojë aftësinë e institucionit për të provuar që i plotëson detyrimet dhe përgjegjësitë e veta dhe është i vetëdijshëm për mundësitë e tij. Objektivat kryesorë të programeve të studimeve dhe standardet e programeve të ofruara janë bazë e ndërtimit të kapitujve dhe nxjerrin në pah qëllimet që universitetet synojnë të arrijnë në raport me misionet e tyre në shërbimin publik. Për këtë kriter do të merren si shembuj: studentët, nga regjistrimi deri te punësimi; kërkimi: rezultatet e kërkimit, përhapja, vlerësimi, transferimi etj. MASH sqaron se “standardet janë tërësia e kërkesave, cilësive dhe karakteristikave që ndihmojnë për realizimin e këtyre objektivave themelorë të universiteteve dhe që përcaktohen si synime për t’iu përgjigjur një niveli të caktuar të zhvillimit të institucionit”. Në këtë rast shembujt do të jenë: institucioni ndjek një politikë të mirëpritjes së studentëve të rinj; institucioni ndjek një politikë të komunikimit publik dhe të përhapjes së rezultateve në fushën e kërkimit shkencor etj. Ndërsa kriteret janë shembuj të praktikave të mira, të listuara në mënyrë jo të fundme (pra, që nuk u është shkuar deri në fund për t’i shqyrtuar), por ato ndihmojnë institucionin për përmbushjen e standardeve në favor të përmirësimit të cilësisë. Për shembull: institucioni ofron programe studimi dhe siguron personelin akademik për realizimin e tyre; institucioni bashkëvepron me aktorë nga fusha ekonomike dhe të biznesit vendas ose të huaj). Ndërkohë që edhe treguesit e performancës si dhe zgjidhjet e përshtatura për të arritur më të mirën e saj, do të përmirësojnë funksionimin e institucionit.

Standardet shtetërore të cilësisë përfaqësojnë tërësinë e kërkesave, kritereve që plotëson një institucion dhe shërbejnë si një sërë rekomandimesh që ndihmojnë institucionet e arsimit të lartë të arrijnë një nivel të caktuar zhvillimi.

Kriteret përbëjnë elemente, standarde, të arritshme dhe të verifikueshme, të përcaktuara qartë, mbi të cilat mbështeten institucionet për përmbushjen e misioneve të tyre dhe nëpërmjet të cilave jepet një vlerësim, bëhet një klasifikim etj.

Standardet për akreditimin e programeve të studimeve të ciklit të parë

Diplomat e nivelit të parë ose “Bachelor” të çdo universiteti do të jenë të vlefshme vetëm nëse institucioni ofron programe të akredituara të studimeve, të organizuara në module dhe të vlerësuara në kredite, sipas Sistemit Europian të Transferimit dhe Grumbullimit të Krediteve (ECTS). Sasia mesatare e krediteve të grumbulluara gjatë një viti nga një student që ndjek një program studimi me kohë të plotë është 60 kredite. Ndërkohë që programet e studimeve duhet të hartohen në përputhje me qëllimet dhe misionin e institucionit. Po ashtu, programet e studimeve kanë objektiva të përcaktuar qartë për formimin e studentëve në atë program, të cilët përfshijnë dijet, aftësitë dhe kompetencat profesionale që duhet të fitojnë studentët në përfundim të programit të studimit dhe që karakterizojnë profilin e programit. Një kriter tjetër jo pak i rëndësishëm është se programet e studimeve duhet të hartohen në përputhje me nevojat e tregut të punës dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

I-OFRIMI I PROGRAMEVE TË STUDIMEVE

Standardi I.1- Institucioni ofron programe studimesh në përputhje me misionin dhe

qëllimin e tij.

Standardi I.2- Programet e studimeve janë në përputhje me strategjinë për zhvillim të

Institucionit.

II-ORGANIZIMI, DREJTIMI DHE ADMINISTRIMI I PROGRAMEVE TË STUDIMEVE

Standardi II.1- Programet e studimeve synojnë të plotësojnë nevojat e tregut të punës.

Standardi II.2- Programet e studimeve synojnë ruajtjen e vlerave kulturore kombëtare

dhe interesave kombëtare.

Standardi II.3- Institucioni, për akreditimin e programeve të studimeve, përdor metodologji vlerësimi, instrumente matëse dhe vlerësuese për ecurinë e tyre.

Standardi II.4- Programet e studimeve të ciklit të parë janë të detajuara dhe informuese.

Standardi II.5- Institucioni vlerëson dhe dokumenton gjendjen e tij financiare.

III-PERSONELI I INSTITUCIONIT

Standardi III.1- Institucioni ndjek procedura ligjore dhe transparente të rekrutimit dhe

vlerësimit të personelit.

Standardi III.2- Institucioni disponon një bazë të dhënash për personelin e tij.

Standardi III.3- Institucioni angazhon personel ndihmës mësimor-shkencor dhe

administrativ për përmbushjen e misionit të tij.

Standardi III.4- Institucioni angazhohet për kualifikimin e vazhdueshëm dhe të

mëtejshëm të personelit të tij.

IV-INSTITUCIONI MBRON TË DREJTAT E STUDENTËVE

Standardi IV.1- Institucioni ndjek një politikë të mirëpritjes së studentëve të rinj.

Standardi IV.2- Institucioni informon studentët në lidhje me politikat e punësimit.

Standardi IV.3- Institucioni disponon statistika në lidhje me numrin e studentëve që

ndjekin programet e studimeve të ciklit të parë.

Standardi IV.4- Institucioni angazhon personelin e tij për përkujdesjen ndaj studentëve.

V-INSTITUCIONI OFRON SHËRBIME DHE VË NË DISPOZICION TË

STUDENTËVE BIBLIOTEKA DHE BURIME TË TJERA INFORMACIONI

Standardi V.1- Institucioni vë në dispozicion të studentëve bibliotekën e tij.

Standardi V.2- Institucioni vë në dispozicion të studentëve laboratorë dhe mjedise të

përshtatshme mësimore dhe për formimin praktik.

VI-BURIMET FINANCIARE DHE VLERËSIMI FINANCIAR

Standardi VI.1- Institucioni harton një raport financiar të kostove të programeve të

studimeve.

VII-INSTITUCIONI GARANTON MARRËDHËNIE BASHKËPUNIMI, TË

BRENDSHME DHE TË JASHTME

Standardi VII.1- Institucioni garanton marrëdhënie të frytshme bashkëpunimi mes

personelit të vet.

Standardi VII.2- Institucioni garanton marrëdhënie bashkëpunimi me institucionet

homologe jashtë vendit dhe aktorët e biznesit vendës ose të huaj.

VIII-INSTITUCIONI GARANTON SIGURIMIN E CILËSISË

Standardi VIII.1-Institucioni garanton sigurimin e cilësisë në realizimin e programeve të

studimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›