Tuberkulozi, 450 raste të reja çdo vit
Çdo vit në vendin tonë regjistrohen rreth 450 raste të reja me tuberkuloz. Por, megjithëse vdekshmëria nga kjo sëmundje nuk është e lartë, kjo patologji mbetet shqetësuese për vendin tonë. Sipas mjekëve, vaksina është një nga masat parandaluese dhe ajo injektohet te të porsalindurit që në javën e dytë, por ajo nuk është kusht për të mos u prekur nga kjo sëmundje. “Kjo lloj vaksine që përdorim aktualisht mbron vetëm nga zhvillimi i formave të rënda të sëmundjes. Nuk parandalon sëmundjen. Kjo është dhe arsyeja që ne prej 17 vitesh bëjmë vetëm një vaksinë, ndryshe nga më parë që bëheshin 3-4 vaksina për një person gjatë jetës, pasi mendohej për aftësi parandaluese të fuqishme të saj, por në fakt nuk është ashtu. Pritet një vaksinë e re, ndoshta pas një apo dy vitesh”, - pohon Hasan Afizi, koordinator i strategjisë së tuberkulozit në vendin tonë. Përsa i përket shpërndarjes gjeografike të sëmundjes, zonat verilindore janë më problematike përsa i përket shfaqjes së rasteve të reja çdo vit. “Zonat më problematike në Shqipëri mbeten zonat verilindore. Ka shumë arsye. Është ajo historike, pasi edhe në kaluarën kanë pasur raste më tepër, kushtet e banimit, mënyrën e jetesës dhe zonat e afërta. Po të marrim zonat kufitare, si Kosova dhe Maqedonia, janë zona me dyfish apo trefish të sëmundshmërisë me tuberkulozin se në vendin tonë”, - thotë Afizi. Sipas drejtuesve të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë vitit 2010 në vendin tonë është ulur numri i të prekurve nga tuberkulozi. Kjo deklaratë është bërë dje në Ditën Botërore të Tuberkulozit, nga zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, sipas të cilit, është ulur rezistenca bakteriale dhe vdekshmëria në vend. Zv/ministri i Shëndetësisë ka theksuar se numri i rasteve të reja, të zbuluara çdo vit, po vjen duke u zvogëluar. “Në dekadën e fundit prirja e rasteve të reja ka qenë në ulje të qëndrueshme dhe pothuajse është pakësuar përgjysmë, nga 27 raste të reja për 100 000 banorë (790 raste) në vitin 1999, në 14 raste të reja për 100 000 banorë (afërsisht 450 raste të reja në vit) më 2010. Rezistenca e shumëfishtë ndaj medikamenteve antituberkulare, që përbën një kërcënim serioz, pasi medikamentet mund të mos jenë të efektshme, është e ulët (nën 1%). Mjekimi është i suksesshëm në mbi 87% të rasteve të reja me tuberkuloz”, - ka pohuar numri dy i Shëndetësisë. Ndërkohë, Programi Kombëtar i Kontrollit të Tuberkulozit ka realizuar rishikimin e Strategjisë ekzistuese me objektiva të qartë: më pak se 10 raste të reja për 100 000 banorë në vitin 2015, sukses mjekimi në mbi 90% për rastet me sputum pozitiv, vdekshmëri nën 0.5%. Por, përveç tuberkulozit, mjekët pneumologë në vendin tonë ngrenë shqetësimin se janë shtuar ndjeshëm sëmundjet e mushkërive. Ata thonë se, nëse vite më parë mbizotëronte që ishin meshkujt ata që prekeshin më së shumti nga këto sëmundje, tashmë është rritur ndjeshëm edhe numri i femrave. Kështu, çdo vit në spitalin e sëmundjeve të mushkërive “Shefqet Ndroqi” në Tiranë paraqiten mbi 1000 raste të reja me diagnoza të ndryshme që prekin mushkëritë, ndërsa vihet re një tendencë në rritje e të prekurve. Për këtë arsye, mjekët rekomandojnë këshillat përkatëse sesi mund të parandalohen këto sëmundje, duke renditur edhe shkaktarët kryesorë. Sipas mjekëve, parandalimi ka të bëjë me duhanin, me tymrat, me gazrat. Çdo vit, në botë nga tuberkulozi humbin jetën rreth 1.6 milionë njerëz, ndërkohë që një e treta e popullatës botërore është e infektuar nga mikrobi i tuberkulozit.