E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sarkozy mbron vendimin për shitjen e anijeve Rusisë

Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, ka mbrojtur vendimin e tij për t’i shitur Rusisë anije luftarake të tipit Misstral, duke theksuar se kjo shitje nuk do të kërcënojë sigurinë rajonale, ka njoftuar gazeta Daily Herald.

Shitja potenciale ka alarmuar disa ish-republika sovjetike, përfshirë këtu edhe ato, të cilat tani janë anëtare të NATO-s, në veçanti pas konfliktit mes Gjeorgjisë dhe Rusisë, në gusht të vitit të kaluar.

Sarkozy gjatë takimit që ka pasur të hënën me Sekretarin amerikan të mbrojtjes, Robert Gates, i ka thënë atij se shitja e anijeve nuk paraqet ndonjë problem ushtarak, ngase Rusia duhet të trajtohet si partnere e vërtetë.

“Nuk mund të presim nga Rusia që të sillet si partnere, nëse nuk e trajtojmë si të tillë”, ka thënë Sarkozy.

Rusia më herët ka njoftuar se po e shqyrton mundësinë që të blejë një anije të tipit Misstral, në vlerë prej 400 deri 500 milionë euro, me mundësinë që më pas të ndërtojë tri apo katër anije të këtij lloji, në partneritet me kompaninë franceze DCNS.

Misstral është në gjendje të bartë 16 helikopterë dhe 70 automjete, përfshirë këtu edhe 13 tanke dhe 450 ushtarë. Ushtria ruse ka theksuar se anijet Misstral do t’i mundësonin flotës ruse që të ndërmerr operacione më efektive në Detin e Zi.

Nëse realizohet marrëveshja mes Francës dhe Rusisë, do të jetë kjo hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s i shet armatim Rusisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›