E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicionet në Kosovë

Hashim Thaçi nuk do ta ketë aspak të lehtë që të ndërtojë qeverinë e re, edhe pas shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja, në janar të vitit të ardhshëm. Kjo për shkak se partneri me i mundshëm i PDK-së, AKR-ja e Behxhet Pacollit, i ka vendosur si kusht kryesor të bashkëpunimit lënien jashtë qeverisë të ministrave të përfolur për korrupsion dhe personave nën hetim, raportojnë mediat në Prishtine. Kjo do të linte jashtë kabinetit një personazh me shumë peshë në PDK dhe një nga njerëzit më të afërt të Thaçit, Fatmir Limajn. Deklarata është bere nga numri dy i partisë së Pacollit, Mimoza Kusari Lila, e cila ka theksuar se pa dashur ta personalizojë çështjen, AKR-ja nuk do të pranonte kurrsesi elementë të përfolur apo nën hetim në qeverinë e saj. Ka qenë i menjëhershëm reagimi personal i Fatmir Limajt, i cili ka theksuar se në radhët e PDK-së nuk vendos AKR-ja. Madje, nënkryetari i PDK-së ka shkuar edhe me tej, duke paralajmëruar AKR-në se vendosja e kushteve që në nisje, do ta detyronte forcën e tij politike të përzgjidhte si partnere për qeverisje Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërsa dy forcat politike kanë zhvilluar një raund të parë informal bisedimesh, tensioni është rritur me deklarata dhe akuza të ndërsjella mes tyre.

Shpërndaje          

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›