E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni LSI-PGj

Tirane - Kryetari i LSI-së, Ilir Meta nënshkroi marrëveshjen e parë të bashkëpunimit në një koalicion me Partinë e Gjelbër Shqiptare, që është anëtare e Partisë së Gjelbër Europiane. Në emër të Partisë së Gjelbër Shqiptare marrëveshjen e nënshkroi Kryetari i kësaj partie, Edlir Petanaj. Partia e Gjelbër shqiptare ka mbledhur rreth vetes ambjentalistë të shquar shqiptarë, si dhe përfaqësues nga shoqëria civile.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, meta u shpreh se ky ishte fillimi i një koalicioni të ri që do të fitojë në zgjedhjet e 28 Qershorit. “Marrëveshjen e parë e bëjmë në emër të një mjedisi tmerrësisht të kërcënuar sot për qytetarët shqiptarë, të një mjedisi që po kthehet jo vetëm në një kërcënim social, por edhe në një agresion ndaj shëndetit të qytetarëve dhe të popullsisë, dhe në një dimension të munguar të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. Ndaj unë besoj se marrëveshja që ne nënshkruajmë sot me Partinë e Gjelbër Shqiptare, është shumë e rëndësishme për vetë dimensionin programor dhe angazhues të LSI dhe të gjithë koalicionet që ne po ndërtojmë dhe konfigurojmë, në mënyrë që tu premtojmë gjeneratave të sotme, por edhe të ardhshme, një angazhim solemn, se ne do të punojmë për një mjedis të gjelbër, se ne do të punojmë për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve shqiptarë, që ne do të punojmë që zhvillimi i qëndrueshëm i vendit të mbështetet në mënyrë solide mbi një mjedis të mbrojtur dhe që zhvillohet çdo ditë e më shumë”, tha ai.

Nga ana tjetër, Edlir Petanaj, Kryetari i Partisë së Gjelbër Shqiptare u shpreh se partia e tij vjen sot për të firmosur Marrëveshjen e Koalicionit së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim si një parti ndonëse, deri më sot, modeste, por e përfaqësuar me këshilltarë lokalë, anëtare e Partisë së Gjelbër Europiane me të drejta të plota.

“Partia e Gjelbër në këtë koalicion vjen edhe me një aleancë që ka bërë me shoqërinë civile ambientaliste, duke thithur në gjirin e saj ambientalistë të shquar, ekspertë të mjedisit, përfaqësues të klubeve ekologjike të prefekturave, të cilët do të jenë përfaqësuesit tanë për deputet në zgjedhjet e 28 Qershorit”, vijoi Petanaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›