E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni PS-LSI, Berisha: Firmosën epitafin e Rilindjes mavi

TIRANE- Pak orë pas zyrtarizimit të koalicionit parazgjedhor PS-LSI, kryeministri Berisha ironizoi firmosjen e marrëveshjes, duke e cilësuar si epitaf të rilindjes. 

Duke folur në një aktivitet të organizuar në Njësinë Bashkiake 4 në Tiranë, në kuadër të Ditës së Tokës, kryeministri Berisha tha: “Ne mbollëm pemë, dhe kjo ndodhi në një ditë që u firmos epitafi i Rilindjes. Ne mbjellim pemë, ata firmosin epitafin e rilindjes. Ata që ua themeluan partinë, jua rithemeluan përsëri sot”.

I shoqëruar edhe nga kreu i Bashkisë, Lulzim Basha, Berisha vlerësoi punën e Bashkisë së Tiranës në përmirësimin e jetës së qytetarëve, ndërsa kritikoi punën e ish-kryetarit të bashkisë, Edi Rama.

“Plani i Bashkisë për rivitalizimin e Tiranës po ecën me shpejtësi. Ne do vazhdojmë kujdesin për qytetaret, mjedisin, shëndetin e qytetarëve për jetën e tyre. Bashkia ka nderuat këtu një terren sportiv, nuk është një pallat në pajë, por një terren ku do të luajnë të gjithë fëmijët e këtij blloku. Tirana është më e shëndetshme dhe shumë më njerëzore, se Tirana e njeriut që firmosi sot epitafin e rilindjes së tij.”- u shpreh kryeministri. 

Kryeministri Berisha e komentoi sërish marrëveshjen mes PS dhe LSI nga faqja e tij në rrjetin social “Facebook”. Ai tha se të majtët sot në Shkodër firmosën epitafin e Rilindjes mavi.

“Të dashur miq, sot në Shkodër majtistët firmosën epitafin e Rilindjes mavi. Për koincidencë apo ironi të fatit pikërisht ata që ua themeluan partinë në nëntor të vitit 1941, jua rithemeluan atë në prill të vitit 2013. Gazetarët dhe kronikanët e partive të tyre, që po kërkonin me ngulm në çdo qoshe, dhomë, madje dhe tualet të ndërtesës hijet e Dushan Mugoshës apo Bllazho Jovanovicit si dëshmitarë të aktit të rithemelimit, u qetësuan kur mësuan se në mungesë të tyre aktin e rithemelimit të Partisë rozë mavi e kishin formuluar me kujdesin atëror Vojo Koshtunica dhe Oliver Mugosha”, komentoi Berisha.

Kryeministri shtoi më tej se për himn, Rama kishte zgjedhur Marshin mbi Kosovën të këngëtarit serb Goran Bregovic.

“Ndërsa për hymnin e këtij akti, Rama kishte zgjedhur Marshin mbi Kosovën të Goran Bregovic, të njeriut që Rama i vari Çelësin e Artë të kryeqytetit të Shqipërisë kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Udhë të mbarë drejt të shkuarës! Ne jemi ndryshimi, Përpara”, përfundon mesazhi i tij.
(er.nu/ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›