E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koalicioni PS-LSI, Rama dhe Meta, sot në Shkodër firmosin marrëveshjen

Kreu i PS-së, Edi Rama dhe ai i LSI-së, Ilir Meta, pritet të nënshkruajnë pasditen e sotme marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e 23 qershorit 2013. Marrëveshja do të firmoset prej tyre në qytetin e Shkodrës, ku do të zhvillojë punimet konferenca rajonale e Partive Socialiste Europiane, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të së majtës së Ballkanit. Burime nga PS-ja, bëjnë të ditur se në
përfundim të këtij aktiviteti, Rama dhe Meta do të siglojnë një dokument të detajuar të marrëveshjes. PS dhe LSI kanë refuzuar të zbulojnë paraprakisht detaje të marrëveshjes, përmes së cilës e majta kërkon të maksimalizojë çdo
votë drejt qëllimit final, fitimin e zgjedhjeve. 

Është zgjedhur ky moment për nënshkrimin e marrëveshjes, përpara drejtuesve më të lartë të socialistëve europianë, në shenjë mirënjohjeje për nxitjen dhe thirrjet në adresë të Ramës dhe Metës për t'u bashkuar. Kjo marrëveshje, që do të ketë firmat e Ramës dhe Metës, merr formë zyrtare, në një kohë kur regjistrimi i koalicioneve po shkon drejt limiteve kohore, që është data 23 prill. Komentatorë politikë e shikojnë marrëveshjen e së hënës, si një ngjarje historike për të majtën shqiptare, pas shumë vitesh ndarjeje, akuzash
dhe kundërakuzash mes drejtuesve të PS-së dhe LSIsë. 

Sipas ligjit, afati kohor për regjistrimin e koalicioneve pranë KQZ-së është 23 prilli, pra deri të martën, Partia Socialiste bashkë me 34 partitë e tjera të koalicionit opozitar duhet t'i kenë zyrtarizuar marrëveshjet mes tyre, ndërkohë që pritet një përgjigje edhe nga PBDNJ-ja e Dules.
(e.m/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›