“Hakmerret” Juventusi, Milan rrezikon Championsin
Ka ndodhur ashtu si në fazën e parë, fituesi është përcaktuar nga një 11-metërsh. Por vetëm se kësaj radhe fituesi ishte Juventusi dhe jo Milani. Me këtë trepikësh, bardhezinjtë thuajse e kanë siguruar titullin kampion, i dyti radhazi për Konten. Në fakt, ndeshja nuk është ngritur në nivelin e një klasikeje italiane, ashtu siç jemi mësuar t’i shohim këto dy skuadra. Milani tashmë rrezikon shumë vendin e tretë, që do të thotë pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve. Kuqezinjtë kanë tri ndeshje që nuk dalin te fitorja, ndërkohë që nga Fiorentina tashmë është vetëm një pikë larg, por edhe Interi, me fitoren e djeshme ndaj Parmës shpreson, pasi çdo gjë mund të ndodhë në pesë javët e mbetura të Serisë A. Napoli ka fituar falë një goli të shënuar në minutën e 94-t, duke konsoliduar vendin e dytë, ndërsa vendi i parë duket larg, pasi Juve është 11 pikë përpara. Roma nuk ka shkuar më shumë se një barazim ndaj Peskarës, duke treguar edhe njëherë tjetër se sa luhatje ka. Verdhekuqve të Romës u mbetet vetëm Kupa e Italisë, teksa do të presin Lacion, edhe kjo një skuadër në pozita të Romës, ku të gjitha shanset i ka varur te kupa.
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)
(a.k/E.Ilnica/BalkanWeb)