E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, miratohet marrëveshja me Serbinë, Thaçi: Nuk ishte idealja, por më e mira e mundshme

PRISHTINE- Pas disa orësh debati Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën e propozuar nga PDK që i jep mbështetje marrëveshjes se arritur në Bruksel më 19 prill ndërmjet Kryeministrit Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Dacic.

89 deputetë kanë votuar pro, 5 kanë qenë kundër dhe një deputet ka abstenuar.

Kryeministri Hashim Thaçi tha para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se me këtë marrëveshje përmbylli një tjetër pjesë të konsolidimit të shtetësisë. Ai ka thënë se "me këtë marrëveshje Kosova vulosi shtrirjen e sovranitetit dhe kushtetutës në tërë territorin e vendit. Ai po ashtu tha se kjo marrëveshje është më e mira e mundshme në këto rrethana edhe pse nuk është ideale.

“Të premten në Bruksel, si rezultat i një të ardhme të ndritur ngadhënjeu mbi të kaluarën e hidhur. Kjo nuk është marrëveshje ideale, por është më e mira e mundshme. Kjo marrëveshje ndërshtetërore, i hap rrugë të sigurt integrimit të Kosovës dhe i jep fund izolimit. Ka qenë një rrugë e gjatë dhe jo e lehtë, por është një rrugë të mbarë. Kosova ka vulosur shtetësinë dhe sovranitetin e saj”, ka pohuar kryeministri Thaçi. 

Përmbajtja e rezolutës
01:35 - 1. Kuvendi i Republikës së Kosovës me propozimin e Qeverisë së Kosovës shpreh përkrahje dhe jep pëlqimin për mbështetjen e marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve nga kryeministri i Kosovës dhe kryeministri i Serbisë;

2. Kuvendi i Republikës mbështet zotimet për përmbajtjen e kësaj marrëveshje nga dita e miratimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Vetëvendosje pengon zhvillimin e punimeve të Kuvendit
00:40 - Liburn Aliu, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka penguar fjalimin e Kryeministrit dhe deputeteve te partive tjera. 

Aliu i ka bërë presion kryeparlamentarit Krasniqi që ta ndërpresë seancën dhe të mos lejojë të vazhdohet me votim, ashtu siç parashikonte Rregullorja e Punës së Kuvendit.

“Shko poshtë, ulu...”, i ka thënë Aliut disa herë Krasniqit.

VV proteston para Kuvendit
00:25 - Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje janë mbledhur para hyrjes së Kuvendit të Kosovës.

Qindra aktivistë dhe protestues janë mbledhë para Kuvendit të Kosovës. Parullat e aktivistëve të VV-së janë gjuajtur nga deputetët e PDK-së. Ndërkohë dëgjohen thirrjet e protestuesve "Hashim hajni".

Pacolli: Serbia terhiqet nga Kosova
21:35 -Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri i ka dhënë mbështetje të plotë marrëveshjes së arritur.
“Me këtë marrëveshje, Serbia tërhiqet nga Kosova”, ka thënë Behxhet Pacolli.
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli ka lavdëruar punën në dialog të Baroneshës Catherine Ashton.

“Përshëndes Baroneshën Ashton, kjo grue do të mbetet në zemrat dhe mendjet tona. Zoti te bekofte Zonja Ashton”, ka thënë ai.

PDK: Në parim përkrahim marrëveshjen
Ora 21:10-Kryetari i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë se LDK përkundër vërejtjeve që ka në këtë draft marrëveshje jep pëlqimin e saj në parim. Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të garantoj implementimin e saj.
“Patjetër se duhet të vlerësojmë angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në këtë proces. Ne e themi qartë se garancionet dhe mbështetja e SHBA-së dhe BE-së janë arsye kryesore, sepse ne e përkrahim në parim këtë marrëveshje. Janë të njëjtët faktor që na përkrahën në formimin dhe ndërtimin e shtetit tonë. Ne si subjekt vëmë interesat shtetëror para interesave të tjera”, ka theksuar deputeti Beqiri.

AAK: Mbështesin marrëveshjen
21:25 Blerim Shala, në emër të AAK-së, ka thënë se më këtë marrëveshje fillon zgjidhja e problemit të Veriut.

“Me marrëveshjen në fjalë, krijohen mundësitë për integrimin e Veriut, krijohen rrethanat që serbët e veriut të bëhen qytetarë të Republikës së Kosovës. Në politikë, ka marrëveshje të mira, të këqija dhe të domosdoshme. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një marrëveshje të domosdoshme”, ka thënë Shala.

LDK mbështet marrëveshjen
21:05 Ismet Beqiri, Shef i Grupit Parlamentar të LDK’së, ka thënë se partia e tij mbështet marrëveshjen e arritur.

“LDK, përkundër vërejtjeve që ka në këtë draft-marrëveshje në pika të caktuara të saj, jep pëlqimin e saj në parim dhe i bëjmë thirrje BE dhe SHBA që të garantojë implementimin e saj. LDK është e vetëdijshëm që bisedat me fqinjët është parim ndërkombëtar, LDK insiston dhe ngul këmbë në ruajtjen e Kushtetutës së Kosovës. Pavarësisht angazhimit të SHBA dhe Catherine Ashton BE në këtë proces themi se garancioni i SHBA, BE dhe NATO janë arsyeja kryesore se pse ne e përkrahim në parim këtë marrëveshje, janë po të njëjtit faktorë që na përkrahin në momentet vendimtare për liri dhe shtetndërtimin tonë”, tha ai.

Ndërkaq, Arsim Bajrami, deputet i PDK-së, tha se kjo marrëveshje është konform Kushtetutës dhe legjislacionit të Kosovës.

“Përmes kësaj marrëveshje, vendit i hapen rrugët për integrime europiane dhe zhvillimit ekonomik”, ka thënë ai.
“Marrëveshja i jep fund situatës së destruktive që kemi pasur në Veri. Me këtë marrëveshje, përfundimisht shuhet strukturat jo-kushtetuese që kanë ekzistuar në Kosovë”, ka shtuar ai.

VV kunder, Kurti: Do e bëni Mitrovicën si Banjalluka
Ora 21:00-Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti u shpreh para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se kryeministri Thaçi e bëri këtë marrëveshje të keqe, sepse është i korruptuar. Ai ka thënë se do të ketë shumë probleme për implementimin e saj, por per këtë do të diktojë më i forti.

“Pjesëtarët e sigurisë serbe do të integrohen, çka shënon rehabilitim dhe amnistim për strukturat kriminale të sigurisë. Ne nuk jemi kundër serbëve të Kosovës, por kundër Serbisë. Është e qartë se Mitrovica do të bëhet si Banjalluka në Republikës Serbe. Është e dëmshme se Gjykatat në veri do të shqyrtojnë rastet e veçanta, që është një rast shumë i veçantë e unik. Serbia mund të angazhohet për ta penguar Kosovën gjithkund përveç në BE, ku edhe ashtu jemi larg”, ka thënë Kurti.

Kreu i Vetëvendosjes ka kritikuar faktin që sipas tij ndërtesa e Kuvendit të Kosovës është plot me policë.
“Po më duket sikur në kohën kur e suprimua autonomia e Kosovës nga Milloshevici”, ka thënë Kurti.

Thaci: Komunat serbe kompetenca te njejta me komunat e Kosoves
20:30 Kryeministri Hashim Thaci, teksa po jep sqarimet dhe interpretimet e tij për cdo pikë të marrëveshjes, ka thënë se Asociacioni i Komunave Serbe do të ketë të njëjta kompetenca që ka Asociacioni aktual i Komunave të Kosovës.

“E njëjtë si asociacioni aktual, edhe Asociacioni/Bashkësia do të ketë Kryetarin, Nënkryetarin, Kuvendin... Pra, nuk do të ketë asnjë dallim mes dy asociacioneve”, ka thënë ai. 

Thaci po ashtu, ka thënë se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse është marrëveshja e parë që pritet të ratifikohet mes Kosovës dhe Serbisë. Seanca po i vazhdon punimet me fjalët e deputetëve

Thaci: Marreveshja me e mire e mundshme
20:20 Kryeministri Hashim Thaci, në fillim të fjalës së tij, ka thënë se kjo nuk është marrëveshja më ideale, por është më e mira e mundshme.

“Kjo është marrëveshje për paqe mes Kosovës dhe Serbisë, përmes së cilës ne do të shtrijmë autoritetin tonë në tërë territorin e shtetin tonë. 14 vite pas luftës ne do t’i japim fund strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë në vendin tonë. Me këtë marrëveshje, Serbia e ka pranuar këtë fakt”, ka thënë Kryeministri.

Ai ka thënë se gjatë tërë procesit të negociatave ka pasur parasysh sakrificat e gjeneratave të tëra, për bërjen e shtetit të Kosovës dhe ka kujtuar dhimbjet që shteti serb ia ka shkaktuar qytetarëve të Kosovës.
“I kam pasur në mendje bashkëluftëtarët e mi, familjet e dëshmorëve dhe veteranëve dhe kolonat e gjata të qytetarëve të dëbuar nga Kosova nga Serbia. Në momentet vendimtare, kisha në mendje fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre dhe doja të sigurohesha që ata të mos e përjetojnë luftën. Ishte përkushtimi për të ardhmen evropiane. Ai që më dha forcë për të pranuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve. Kjo marrëveshje është për të ardhmen, paqen dhe integrimet evropiane. Është marrëveshje e paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Është marrëveshje ku kushtetuta dhe ligjet do të funksionojnë në tërë territorin dhe ne do t’i japim fund strukturave ilegale në veri. Serbia e ka pranuar këtë fakt e ka nënshkruar. Marrëveshja në asnjë pikë, nuk e cenon funksionalitetin e shtetit tonë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë. Mundëson që pas shumë vitesh mungesë të ligjit në veri, tani ligji të shtrihet në çdo cep të vendit tonë”, ka theksuar Thaçi.

Ai, po ashtu, pati dhe një mesazh për qytetarët e veriut, që të mos frikësohen nga marrëveshja e arritur.

“Të nderuar qytetar, mos u frikësoni nga kjo marrëveshje. Mos bini pre e atyre që 14 vite po e mbajnë peng të ardhmen tuaj dhe shfrytëzuan mungesën e ligjit për t’u pasuruar. Marrëveshja do të sjell mundësi të reja për ju dhe fëmijët tuaj. Do të sjell zhvillim dhe investime”, ka pohuar Thaçi.

Nis seanca e Kuvendit
20:15 Ka nisur seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku pritet që Kryeministri Hashim Thaçi të raportojë para të zgjedhurve të popullit për marrëveshjen e arritur në Bruksel me homologun e tij serb, Ivica Dacic.

Kjo do të jetë një seancë informuese dhe nuk do të ketë ratifikim të marrëveshjes, pasi që siç dihet, në takimin e 19 prillit dy kryeministrat i kanë vënë firmat e tyre në marrëveshje, çka do të thotë se marrëveshja nuk ka ende formë të prerë.

Shumica e grupeve parlamentare, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, pritet t’i japin mbështetje Kryeministrit për marrëveshjen e arritur.

THAÇI: TË HËNËN DUHET T’IA DËRGOJMË PËRGJIGJEN BARONESHËS ASHTON
Ora 18:00-“Ne, të hënën duhet t’ia dërgojmë përgjigjen Baroneshës Ashton”, ka paralajmëruar kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, para seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila me kërkesën e tij mbahet sot në mbrëmje, në orën 20:00.
“Unë kam besim të plotë në logjikën institucionale të spektrit politik kosovar, të liderëve kryesorë, dhe do të marrim vendimet më të mira në interes të vendit, në interes të qytetarëve”, tha ai në një konferencë shtypi dje pasdite në Prishtinë, pas kthimit nga raundi i dhjetë i dialogut Kosovë-Serbi që rezultoi me marrëveshje.
Kryeministri Thaçi ka shprehur besimin se edhe në seancën e sotme të Kuvendit të bashkuar do të marrin vendimet në interesin e Kosovës. Nga Qeveria e Kosovës, zyrtarisht është bërë e ditur se, marrëveshja e përafruar nga të dy kryeministrat është në fazën e dhënies së pëlqimit për nënshkrimin formal, për çka duhet dhënë pëlqimi paraprak nga përfaqësuesit e të dy vendeve më së largu ditën e hënë, më 22 prill 2013.
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, sipas medias serbe, ka thënë se mbledhja e qeverisë, në të cilën do të merret vendimi për pranimin apo refuzimin propozim marrëveshjes me Prishtinën, do të mbahet nesër. “Nëse Qeveria e miraton marrëveshjen pres që Serbia të marrë datën për fillimin e negociatave mbi anëtarësimin në BE”, ka thënë Daçiç.

Krasniqi: Sot Kuvendi vetëm jep pëlqim jo ratifikim
Ora 17:20-"Ajo që pritet të bëjë Kuvendi i Kosovës është që të japë pëlqimin për këtë marrëveshje, ka thënë nëpërmjet telefonit për KTV-në, vetë kryeparlamentari Jakup Krasniqi. “Në bazë të kërkesës nuk del që do të ketë ratifikim të marrëveshjes. Mund të jetë si pëlqim, varet nëse këtë e kërkon kryeministri dhe nëse do të ketë mbështetjen e grupeve parlamentare. Për t’u ratifikuar marrëveshja duhet të ketë formën e ligjit. Fjala është për raportim dhe pëlqim”.

Sonte në orën 20:00 kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, do të raportojë në Kuvend për pajtimin e arritur me Serbinë.

Mirëpo, kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ka thënë se subjekti i tij do të angazhohet për t’a kundërshtuar në Kuvend marrëveshjen e arritur mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçic, në Bruksel.

Marrëveshja me Serbinë, Thaçi raporton sot në Kuvend
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar zyrtarisht nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, që për sot të thirret një seancë e jashtëzakonshme, në të cilën Thaçi “do të raportoj për Marrëveshjen për Normalizim në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila është përafruar më 19 prill 2013 në Bruksel”.

Në njoftimin e publikuar në faqen në Internet të Kryeministrisë së Kosovës, thuhet se “Marrëveshja e përafruar nga të dy kryeministrat është në fazën e dhënies së pëlqimit për nënshkrim formal, për çka duhet dhënë pëlqimi paraprak nga përfaqësuesit e të dy vendeve, më së largu ditën e hënë, më 22 prill 2013”. Pritet që seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës të filloj në orën 20.

(d.b/el.me/BalkanWeb) Lidhje te tjera Maratona e Beogradit, e pyesin Daçiçin: Kryeministër, a po fle rehat? Kurti: Kundërshtojmë marrëveshjen e Brukselit në Kuvend e në rrugë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›