E Diel, 1 Nëntor 2026

Koalicioni antireformator që po i kundërvihet në Francë presidentit Sarcozy

Fokus 1 - Franca socialiste “ngrin” reformat e presidentit Sarkozy/Raundi i parë i zgjedhjeve lokale franceze u mbyll ashtu siç ishte shpallur nga sondazhet e shumta: kemi një ridimensionim të partisë së presidentit Nicolas Sarkozy (UMP: 27,3 përqind), dhe kemi një avancim të dukshëm të socialistëve të kryesuar nga Martine Aubry me 29,1 për qind; kemi një tkurrje të polit të Qendrës me 3,4 % dhe Ambientalistët me 13,1 përqind; po ashtu një tjetër të rikthim në skenën politike të së djathtës ekstreme të Le Pen me 11,2 përqind, pra të Jean-Mari dhe delfinit të tij (vajza) Marinë. Sikurse në një
llogaritje kemi forcat e majta, Europe Ecologie, PS, Front de Gauche, NPA, të gjitha së bashku përfaqësojnë 50 përqind të elektoratit francez në këto palë zgjedhje. Kuptohet vetiu se ishte një humbje e parashikuar edhe nga sondazhet e bëra pak ditë më parë dhe se Sarkozi në ditët e fundit kishte marrë parasysh, që të mos e përziente zgjedhjet lokale si një test për politikën nacionale. Ndërkohë, nëse është e vërtetë se votimet Lokale ndëshkojnë ata që janë Qeveri, kjo parathotë një pengesë serioze në veprimin e kryeministrit reformist Fillon dhe do t’i jepte një goditje presidentit Sarkozi, duke pritur larjen e hesapeve në zgjedhjet presidenciale të 2012-s. Vetë presidenti Sarkozy i komentoi këto palë zgjedhje, si një “pauzë " në procesin e modernizimit.
Një këndvështrim optimist, për sa i përket Sarkozy, mbetet fakti se shumica e rajoneve franceze ishin të qeverisura nga socialistët (24 kundrejt vetëm 2 rajoneve të UMP). Por gjithsesi e majta ka përparuar më shumë seç pritej dhe në raundin e dytë; situata duhet të lexohet prej një elektorati fluid: me vetëm disa pikë përqindje socialistët janë bërë parti e parë, duke kapërcyer UMP-në, por në raundin e dytë peshon abstenimi i një pjese të madhe të popullsisë franceze e cila vendosi të mos e ushtronte drejtën e saj për të
votuar (53%).
Afërmendsh duhen lexuar drejt këto rezultate. “Mungesa e pjesëmarrjes nuk bën të mundur nxjerrjen e një mësimi nga kjo anketë kombëtare, - tha Kryeministri Fillon - në
kundërshtim me të gjitha parashikimet nuk është vendosur asgjë për raundin e dytë në shumë rajone. Gjithçka mbetet e hapur”. Faktori i tretë dhe i fundit që peshon në favor të Sarkozy-së është se mund të parathuhet një vetëvrasje politike e socialistëve së shpejti, pasi rezultati i shkëlqyer i Ségolène Royale mund të rihapë plagët e pashëruara të xhelozisë mes dy grave të opozitës socialiste.
Surpriza është edhe njëherë tjetër partia e “Frontit Kombëtar”, e cila pas një kapitalizimi të vogël prej 6 përqindësh në zgjedhjet Euro-parlamentare, sot e ka dyfishuar këtë rezultat, madje duke arritur në 20 përqind në rajonet e Jugut, aty ku janë edhe rrënjët e elektoratit të së djathtës ekstreme. Shifra u shfaq e sikletshme për autoritetet që organizojnë sondazhet, pasi ato nuk e kishin parashikuar këtë ngjitje. Por befasia s’duket e tillë ndër ata që kohët e fundit kishin vërejtur një tendencë të përgjithshme të forcave të djathta në Evropë, drejt përqendrimit të energjive në kufizimin e emigracionit, tek ligjet me frymëzim anti-islamik apo me dispozitat ligjore me tone emfatike mbi modelet e shoqërisë së sigurt. Shembujt spikatës janë Wilders në Holandë dhe në Francë Le Pen.
Elektorati duket se është i ndjeshëm në slogane të tilla si këto më sipër, por në një krizë të
vazhdueshme ekonomike, ai ende preferoi avazin e vjetër socialist të punësimit të siguruar, të premtimit social, të pensioneve dhe kauzave mjedisore, duke refuzuar projektin e modernizimit të shtetit të propozuar nga Sarkozi. "Ne po përballemi me një arritje historike - ishte komenti i parë mbi rezultatet nga kryesocialistja Aubry - në sajë të miliona njerëzve që na kanë dhënë votën e tyre”. Mirëpo “ne duhet të refuzojmë ata që kërkojnë të bëjnë balancime pushteti me rajonet”, - i është përgjigjur kryeministri Fillon, i cili synonte që në nivel lokal të reformonte dhe thjeshtëzonte sistemin e rajoneve në vend.
Fokus 2 - Sarkozy “në 7 ditë kërkon të rikthejë elektoratin e djathtë që të votojë”/Urdhri ndaj “bashkëpunëtorëve” të tij se “kemi vetëm 7 ditë për të bindur votuesit e djathtë, që abstenuan, duke qëndruar në shtëpi” shfaqet si prioritet absolut i UMP-së për t’u rifituar në votimet e balotazhit të raundit të dytë, për ta shndërruar kështu një fatkeqësi rajonale në një përleshje të padëmshme elektorale. Kjo urgjencë ka detyruar presidentin Sarkozy që të mos priste rezultatet e rënda përfundimtare, por të mblidhte urgjentisht në Elysee “Këshillin e fshehtë”, ose patrullën e vet besnike, të përbërë që nga sekretari personal, Guéant, e deri tek Ministri i Brendshëm Hortefeux, ekipi i vërtetë që qeveris Francën. Dje, pasi u takua me mentorin e vet politik, ish-kryeministrin Balladur, Presidenti u shfaq luftues dhe optimist, teksa deklaroi se “nuk ka pasur një abstenim plebishitar kundër meje, jam plot shpresë se votuesit e djathtë në një javë, mund të ri-galvanizohen”.
Strategjia e nevojshme. Në të vërtetë, shpresat e partisë UMP mbështeten në një natë të mundshme të “larjes së hesapeve” mes aleatëve të majtë, të cilët s’do mund të merren vesh për ndarjen e posteve në qeveritë e ardhshme rajonale. Shenja e parë u dha mbrëmë, kur socialistët shpallën një marrëveshje, por të Gjelbrit e mohuan kategorikisht atë. Diskutimet vazhdojnë në të gjitha rajonet. Për partinë në pushtet, megjithatë, dëmi politik tashmë është bërë, dhe Sarkozi duket i brishtë, përballë një opozite që ka rigjetur shpresat. Përkundrazi, siç ndodh shpesh në humbje, duket se po çelet një hendek në partinë presidenciale, e cila po shfaqet shumë e rrezikshme, pasi trupat e bindura nisin qysh tani të diskutojnë përzgjedhjet e Presidentit. Postzgjedhjet po karakterizohen nga një kakofoni. Zeri i parë kundër, çuditërisht, është ai i Rachida Datit. Ish-Ministrja e Drejtësisë e ka ftuar UMP-në e rrahur "të rikthehet në bazë”. Shumë veta brenda partisë nuk e kanë vlerësuar këtë leksion, duke theksuar se është pikërisht ajo - "periudha Dati” - ku u shfaqën hapur pasuria dhe kopertinat e revistave javore - e cila ka përkulur fatin e Presidentit Sarkozy. Janë deputetët e partisë që kanë kohë që nuk pranojnë të konsiderohen si këmbësori, dhe po manovrojnë me rrahje kamxhiku, kundër të ashtuquajturve “të zemëruar”. Më i hapuri ndër ta ka qenë Lionel Luca, deputet i Alpeve detare, i cili u shpreh: "Faji është i Sarkozi-së, sepse ka një sy strabik, të majtin". Christine Boutin, ish-ministër dhe lider i demokristianëve, ka bërë thirrje për "vlerat e djathta dhe pa komplekse", duke përmendur sloganet kundër pranverës së ‘68-s, e cila ishte një nga parullat më të suksesshme mendimit të Sarkozisë. Nën akuzë, për votat e humbura, ose që mungojnë nuk janë reformat e pabëra ose të tepërta, por është hapje majtas e Presidentit, për të minuar themelet e socialistëve. Elektorati i qendrës së djathtë e konsideron atë një "tradhti", një “ndryshim” meskin. Pas dy vjet e gjysmë hedhje nga ana e majtë, për të qenë të sinqertë, rezultatet janë të turpshme. Ministrat e rekrutuar si Kushner në ministrinë e Jashtme, ose Amara në politikën urbane, formojnë një klikë të vogël. Besson, Ministri për Integrim, ka gabuar me fushatën për identitetin kombëtar, dhe është akuzuar se ka dhënë spot elektoral falas për ringjalljen e së djathtës ekstreme. Qeverisja është bërë një problem. Në listë ka tetë ministra dhe dhjetë zv-ministra. Ka shumë mundësi që asnjë nga tetë ministrat s’do të jetë në gjendjen për të fituar një rajon.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›