E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fule: “Zgjidhni krizën para ardhjes sime”

Autori i Lajmit: S. Topi
Politika shqiptare duhet të gjejë zgjidhje për krizën politike. Çdo përplasje dhe mosbashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës duhet të ketë gjetur rrugën e zgjidhjes para datës 19 mars. Thirrja e fortë këtë herë është bërë nga Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili do të mbërrijë në vendin tonë vetëm një ditë pasi Kuvendi i Shqipërisë do të diskutojë nismat e socialistëve për hetimin e zgjedhjeve.
Në një njoftim të delegacionit të KE-së në Tiranë thuhet se Fyle, dy ditë para vizitës së tij në Shqipëri, ka deklaruar se shpreson shumë që ngërçi që lidhet me pjesëmarrjen aktive në Kuvend të deputetëve të Partisë Socialiste të zgjidhet para vizitës së tij. Pas deklaratës së tij ka reaguar Partia Socialiste, e cila ka përshëndetur mesazhin e Komisionerit për Zgjerimin.
Deklarata
Fule ishte dhe në Beograd, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, për të diskutuar përparimin e secilit prej këtyre vendeve në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Ndërkohë që të premten ai do të vizitojë dhe Tiranën. Por para kësaj vizite delegacioni i Bashkimit Evropian nëpërmjet një deklarate për median ka përcjellë një mesazh të tij lidhur me situatën politike në vend. “Shpresoj shumë që ngërçi që lidhet me pjesëmarrjen aktive në Kuvend të deputetëve të Partisë Socialiste të mund të zgjidhet para vizitës sime dhe do tu bëja thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të punojnë së bashku në mënyrë që Shqipëria të çojë përpara reformat e duhura në të mirë të vetë qytetarëve të saj, si edhe në të mirë të aspiratave të saj evropiane”, - ka deklaruar Fule. Gjatë qëndrimit në Tiranë, Komisioneri Fule do të takohet me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, me kryeministrin Sali Berisha, me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe me Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Pas kësaj deklarate ka reaguar dhe selia rozë. Deputeti i Partisë Socialiste, Armando Subashi, pohoi dje se falënderonte komisionerin Fule për nxitjen në kërkim të zgjidhjes së një krize që rëndohet përditë nga mungesa e transparencës. “Ne kemi bërë ofertën tonë që deri tani ka rënë në veshë të shurdhër. Shpresojmë që nesër qeveria do të ketë veshë për të dëgjuar zërin e arsyes dhe për të hapur kutitë. Pa hapjen e kutive ska transparencë. Pa transparencë, ska zgjidhje. Pa zgjidhje, ska kthim mbrapa të opozitës së bashkuar. Apeli ynë për zotin Berisha është publik: Çlirimi i zgjedhjeve nga korrupsioni është çlirimi i zgjidhjeve për shqiptarët”, - pohoi ai.
Ky lajm është publikuar: 18/03/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›