E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Koalicioni funksionues, i uroj ditëlindjen Edi Ramës”

Flet për koalicionin kreu i LSI-së Ilir Meta

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta vlerësoi dje si të suksesshëm koalicionin qeveritar, i cili po përmbush një nga detyrimet më madhore të vendit, plotësimin e standardeve për integrimin.
Nr. 2 i qeverisë tha se ky koalicion është plotësisht funksional dhe se lidhja e aleancës një vit më parë, përkon me ditëlindjen e Edi Ramës, të cilit Meta tha se i uroj ditëlindjen.
“Që nga dita që u shpall koalicioni i imponuar nga votat e sovranit ka treguar se ka qenë një koalicion funksionues. Ka një bilanc pozitiv që ka treguar se funksionojnë institucionet qeverisëse dhe ka progres të qartë në raportet Shqipëri-BE. Koalicioni përkon me ditëlindjen e Edi Ramës, të cilit e uroj”, u shpreh ai.
Lidhur me kërkesën e PS-së për të dhënë dorëheqjen pas arrestimit të një punonjësi të Ministrisë së Jashtme në ambasadën amerikane për drogë, Meta tha se do dorëhiqet kur të mbarojë afati kushtetues, pra pas 3 vjetësh.
Ai tha se arrestimi i punonjësit tregon se toleranca zero e kësaj qeverie për korrupsionin nuk kursen askënd.
“Duhet të përgëzoj organet tona të specializuara për zbatimin e ligjit dhe bashkëpunimin e tyre me partnerë amerikanë që konfirmon edhe një herë se për këtë qeveri toleranca zero kundër korrupsionit është e pandalshme dhe nuk do kursehet askush. Ftojmë edhe opozitën të bashkëpunojë për të ecur para në reforma kundër krimit dhe korrupsionit. Dorëheqjen do ta jap kur të mbarojë afati i përcaktuar me kushtetutë, pas 3 vjetësh”, u shpreh më tej, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta.
Më tej, ministri i Jashtëm Meta dënoi sulmin ndaj deputetit serb Miletiç duke pohuar se sulme të tilla synojnë të dëmtojnë imazhin e Kosovës, por edhe të gjithë rajonit. Meta nënvizoi gjithashtu se nuk mund të ketë shkëmbim të territorit Kosovë-Serbi.
“E ardhmja e Ballkanit nuk është ndryshimi i kufijve, por heqja e kufijve. Statusi e kufijtë e Kosovës janë të pakthyeshëm. Të gjithë duhet të kuptojmë se duke respektuar kufijtë e njëri tjetrit i afrohemi më shpejt integrimit”, saktësoi zëvendëskryeministri Ilir Meta.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›