“Shprehje e solidaritetit të popullit shqiptar me viktimat e tragjedisë së Holokaustit”
Zëvendëskryeministri Meta vendos një pllakat memorial në Kampin e Aushvicit
Gjatë vizitës së tij në Poloni me rastin e Takimit të Nivelit të Lartë të Komunitetit të Demokracive, i cili u zhvillua në Krakov të Polonisë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta beri një vizitë nderimi në Kampin e Përqendrimit të Aushvicit. Qëllimi i vizitës ishte vendosja në mënyrë simbolike e një “pllakate memoriali” në përkujtim të viktimave të këtij kampi.
Gjithashtu, kjo vizitë dhe ky gjest shërbeu si një shprehje e kahershme e solidaritetit të popullit shqiptar me të gjithë viktimat e tragjedisë së Holokaustit.
Meta theksoi se ishte krenar për sakrificat dhe kontributin e madh të shqiptarëve në luftën kundër nazizmit dhe për çlirimin e Evropës
Në përmbyllje të vizitës, Ilir Meta sigloi mesazhin e tij në librin e përkujtimit, ku kanë hedhur siglën e tyre edhe shumë personalitete botërore.